Ditën e mërkurë do të marrin mandatin e deputetit 3 deputetë të rinj, të cilët pritet ti drejtohen parlamentit të enjten për të bërë betimin. Adriatik Alimadhi nga lista e PD në Vlorë, njëkohësisht edhe kryetar i Ballit Kombëtar do të marrë mandatin e Agron Shehaj.
Ndërsa në Elbasan, Arben Elezi do të ulet në vendin e Edmond Spahos. Nga radhët e LSI-së në Shkodër në vend të Agron Çelës do të jetë Amra Barova. Me betimin e 3 të rinjve, numri i deputetëve në Parlament do të shkojë në 99, ku 17 prej tyre janë të rinj të ardhur nga listat e PD dhe LSI pas djegies së mandateve.
Listave të kandidatëve po i vjen fundi në disa qarqe.
Në Kukës, Partia Demokratike nuk ka më kandidatë, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur pazgjedhshmërinë edhe për të fundit në listë, Miftar Dauti. Gjithashtu KQZ-ja ka shpallur mozgjedhshmërinë edhe për 10 kandidatë të tjerë në Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.
Ndërsa për LSI-në dy kandidate femra, njëra në Berat dhe tjetra në Tiranë nuk kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ . Në disa qarqe ka përfunduar lista e kandidatëve gra.