Familjarët e të arrestuarve për rastin e rëndë të përdhunimit të një 13-vjeçareje në qytetin e Kavajës kanë mohuar për “Open” kategorikisht që të afërmit e tyre të kenë abuzuar me të miturën.
I vëllai i një prej të arrestuarve ka treguar se pasi e shoqëruan herën e parë në polici, e ka marrë më vete për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.
“Herën e parë e mbajtën 8 orë në komisariat e morën në pyetje dhe e liruan. E lanë 2 ditë të lirë. E mora më vete me makinë dhe shkuam në Durrës, e pyeta në të gjitha mënyrat. Nëse do ta kishte bërë ai do e fusja vetë brenda. Mu shtri para këmbëve dhe u betua se nuk e kishte bërë. Më tha që ai… i kishte dërguar videon dhe vajza i kishte shkruar për ta takuar. Më pas e ka mbyllur bisedën. Ai nuk ka bërë asgjë”, - tha ai.
Edhe nëna e një prej djemve të arrestuar, më i madhi prej tyre, një 16-vjeçar, i ka mohuar akuzat që djali i saj të ketë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën.
“Djalin po e mbajnë padrejtësisht në burg. Ma kanë quajtur monstër. Nuk është e vërtetë. Çuni ka bërë veç një puthje dhe një prekje. Kaq. Është në gjendje të rëndë në paraburgim. Djali është 16 vjeç. Minoren ai, minoren ajo, pse duhet të gjykohen kështu”, - u shpreh ajo.
Më tej nëna e 16-vjeçarit vijon të mohojë edhe që djali i saj të ketë bërë shantazh ndaj saj. Sipas saj tashmë çështja është kthyer në politike dhe po dënohen padrejtësisht.
“Nuk e di çfarë kanë bërë djemtë e tjerë, çuni im nuk e ka bërë këtë. Çuni im nuk është rritur ashtu. Djali im ndihet keq sepse është pafajshëm. Kanë futur edhe politikën në mes. Kur prindi i vajzës e dinte se ajo kishte të dashur, si nuk e pyeti njëherë vajzën. Nuk e kanë problem se u përdhunua një vajzë, por tani ka ndërhyrë politika, - tha ajo.