Ministri i Jashtëm i deleguar, Gent Cakaj është përballur me një situatë delikate deri diku gjatë takimit informal me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Protagonist ishte ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, i cili nuk ka mundur të mos e shigjetojë zv.ministrin shqiptar që vjen nga Kosova. Meqenëse në takim përveç tij ishte dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Behxhet Pacolli, Daçiç ka kërkuar shkak për ta parë këtë si provokim duke e nisur takimin me shigjetime.
Në përpjekje për të vënë në pozita të vështira Cakajn përballë liderëve europianë, Daçiç ka shprehur shqetësim përse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë. “Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama”, ka thënë Daçiç.
Por ministri i deleguar Gent Cakaj nuk ia ka lënë mangët dhe i ka kthyer një përgjigje të shpejtë Daçiç që ka shkaktuar ilaritet në sallë. Nisur nga fakti që Daçiç është nga Prizreni, ministri Cakaj i ka kujtuar se duhej të ishte skandalizuar më herët.
“Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!”, i tha Cakaj-Daçiç.