Kreu i PD-së Lulzim Basha do të zhvillojë një vizitë në familjen e 53-vjeçarit Agim Boci që u vra mbrëmjen e kaluar në dyqanin e tij gjatë përleshjes me grabitësit. Edhe bashkëshortja e tij Merita mbeti e plagosur. Pas vizitës, Basha tha se pasiguria e bizneseve në vend është e madhe duke akuzuar qeverinë se është në shërbim të kriminelëve.
“Pasiguria e bizneseve në vend është e madhe. I bëj apel të lërë paradat dhe fjalimet boshe. Qeveria është në shërbim të kriminelëve. Duhet të pastrohet politika nga krimi”, tha Basha, pasi i ka shprehur ngushëllimet familjes Boci dhe ka premtuar se ‘do t’i qëndrojmë pranë familjes Buci’.
Agim Boci gjeti vdekjen pasi u qëllua nga grabitësit mbrëmjen e kaluar në përpjekje për t’i ndaluar. Ai mbërriti i pajetë në spital, ndërsa gruaja e tij mori një plumb në këmbë. Policia ka vënë një shpërblim deri në 5 milionë lekë të reja për informacione të vlefshme për kapjen e autorëve të krimit.