Nga SULEJMAN STAROVA
Ishte një ndeshje pozitive dhe një fitore e rëndësishme ndaj një kundërshtari që praktikisht ka thuajse zero shanse t’i marrë pikë ndonjë ekipi në këtë grup. Natyrisht prisja goleadë, por me De Biazin trajner do të mbetet utopi edhe kur luajmë ndaj skuadrave modeste, gati amatore si Lihtenshtejni. Duhet mirëkuptuar trajneri në këtë pjesë, sepse skema e tij është 4-5-1 dhe me atë ka pasur sukses. Duhet ta respektojmë këtë zgjedhje, pavarësisht dëshirës sonë.
Pjesa e parë
Skuadra e nisi shumë mirë ndeshjen. Mbrojtja e zhvendosur lart si rrallëherë dhe lëvizshmëria e lojtarëve është në ritme të kënaqshme. E kam fjalën për Hykën dhe Llullakun, por edhe për Balajn. Natyrisht, pritej që të kishte më tepër vertikalizime, por ngjeshja e kundërshtarit në afërsi të zonës dhe pamundësia për të pasur një regjisor të mirëfilltë, ndikoi që skuadra të kërkonte më shumë golin me aksione nga krahët se sa duke depërtuar me vertikalizime.
Mbrojtja pati shumë pak punë, por ajo që nuk më pëlqeu ishte paraqitja e Kukelit. Pesë gabime në pasim në pjesën e parë, pa pasur aspak presion, më duket e tepërt. Bëhet fjalë për një lojtar që prej kohësh është projektuar si titullar dhe luan në një pozicion tejet të rëndësishëm. Nuk mund të falen të tilla gabime. Mendoj madje edhe se zëvendësimi i tij u bë për shkak të këtyre gabimeve, më tepër se sa për një dëmtim të mundshëm. Nuk m’u duk i pamundur fizikisht për të vazhduar…
Pjesa e dytë
Një start jo i mirë, sepse gjuajtjen e parë drejt portës e bënë kundërshtarët dhe jo ne. Më pas fituan tri goditje këndi rivalët dhe kjo ishte një sinjal se skuadra e ka të vështirë t’i mbyllë ndeshjet shpejt. Gjithsesi, më pëlqeu fakti që për 20 minuta luajtëm me dy sulmues të mirëfilltë, sepse, nëse nuk e bëjmë këtë as me Lihtenshtejnin, atëherë kur do ta bëjmë…?!
Hyka u soll mirë aty në mesfushë në pozicionin e ri. Nuk stonoi asnjëherë kur spostohej në krah dhe përhapte panik sa herë që ishte pas sulmuesit kryesorë. Ndoshta duhej mbështetur pak më shumë nga dy mesfushorët e qendrës, por gjithsesi ndeshja e tij ishte e mirë. Aliji u përpoq të tregonte sa më shumë nga vetja e tij dhe nuk ishte aspak keq, ndërkohë që Hysaj, por pse jo edhe Roshi, qartazi dukeshin që, në fragmente të caktuara, i menaxhonin energjitë për ndeshjen e radhës.
Dikush mund të kritikojë trajnerin për zëvendësimet e bëra, sepse të gjithë prisnin që ai të fuste sulmues dhe jo Lilën, por në fakt ai thjesht mendoi për Spanjën. Po, sepse duke futur Lilën testoi skuadrën për një aktivizim të tijin si mesfushor pikërisht ndaj Spanjës dhe ndërkohë i dha frymëmarrje Abrashit, pasi ai do t’i duhet shumë me Spanjën.
Aty do të jetë një tjetër histori, por deri atëherë është bukur të shohësh Shqipërinë në krye. Deri të dielën, De Biazi ka kohë të perfeksionojë 4-5-1 e tij të preferuar dhe të bëjë atë që di të bëjë më mirë: të mbrohet mirë dhe të tentojmë surprizën… /marrë nga Panorama Sport/