
Kenan Yildiz është operuar në këmbë. Talenti turk i Juventusit iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të zgjidhur dëmtimin e kockës së pestë metatarsale të këmbës së majtë, të pësuar kundër Frosinones. Lajmi u dha nga Hessingpark-Clinic, struktura ku u operua, e cila publikoi pamjet e para të turkut me paterica: “Shërim të shpejtë, Kenan Yildiz. Pas ndërhyrjes në këmbë, i urojmë futbollistit profesionist të Juventusit një shërim të shpejtë dhe të plotë.
Shumë forcë, durim dhe, mbi të gjitha, një rikthim të shpejtë në fushë! Kur atletët e nivelit të lartë duhet të rikthehen për të konkurruar në nivelet më të larta brenda një kohe shumë të shkurtër, rëndësi kanë përvoja, saktësia dhe një ekip i bashkuar. Specialisti ynë i këmbës, dr. Martin Jordan, dhe i gjithë ekipi i Hessingpark-Clinic të falënderojnë për besimin që na ke dhënë”, thuhet në postimin e klinikës në Augsburg, Gjermani. Tani për Yildiz do të nisë faza e rikuperimit. Rikthimi në fushë parashikohet pas rreth dy ose tre muajsh.