
Raundi i parë i League Phase të Champions League 2026-2027 nis sonte për një mesjavë të gjithën të dedikuar kompeticionit. E kështu, Interi do ta nisë aventurën e tij në League Phase të Champions League 2026-2027 në fushën e Real Madrid të ish-trajnerit José Mourinho: ndeshja luhet në Santiago Bernabeu me fillim në orën 21:00.
Pas përmbysjes së jashtëzakonshme kundër Napolit në javën e fundit të kampionatit, zikaltërit e drejtuar nga Cristian Chivu rikthehen në kompeticionin më të rëndësishëm europian: pas eliminimit të keq të sezonit të kaluar në play-off nga Bodo-Glimt, kampionët në fuqi të Italisë duan të përmirësohen dhe të rikthehen në elitën e futbollit europian. Real Madrid pësoi humbjen e parë të sezonit fundjavën e kaluar ndaj Betis, por Mourinho nuk bëri “drama” dhe kërkoi nga i gjithë ambienti që të shikojë menjëherë drejt së ardhmes.
Do të jetë një ndeshje speciale sidomos për Mou, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes bëri shfaqjen e tij duke u rikthyer te Interi që në stadiumin e tij aktual, më 22 maj 2010, fitoi Tripletën historike. Ka 19 përballje mes Interit dhe Real Madridit, me 10 fitore spanjolle kundrejt 7 fitoreve zikaltër. Arbitri i ndeshjes do të jetë anglezi Michael Oliver.
Formacionet e mundshme.
REAL MADRID (4-2-3-1): Courtois; Dumfries, Huijsen, Konaté, Cucurella; Valverde, Tchouameni; Diomande, Bellingham, Vinicius Jr; Mbappé. Trajner: J. Mourinho.
INTER (3-5-2): Martinez; Pavard, Stones, Bastoni; Diouf, Barella, Calhanoglu, Zielinski, Carlos Augusto; Lautaro Martinez, Thuram. Trajner: Chivu.
Përballjet e mëparshme mes dy skuadrave në Champions
Interi dhe Real Madrid janë përballur 19 herë, me një bilanc në favor të spanjollëve: 10 fitore kundrejt 7 fitoreve zikaltër, ndërsa vetëm 2 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Përballja e parë historike daton në finalen e Kupës së Kampionëve 1963/1964, kur “Grande Inter” I drejtuar nga Helenio Herrera mposhti Realin 3-1 në Prater të Vjenës, falë dygolëshit nga Mazzola. Në vitet e mëvonshme, dy skuadrat u përballën edhe tri herë të tjera në kompeticionet europiane, mes gjysmëfinaleve dhe çerekfinaleve.
Dueli u shndërrua në një klasik të futbollit europian në vitet ’80, me përballje në Kupën e Kampionëve, Kupën e Kupave dhe Kupën UEFA. Në Champions League, përballja u rikthye në fazën e grupeve në sezonin 1998/99: fitore e Realit 2-0 në Spanjë dhe një 3-1 e paharrueshme e Interit në San Siro, e firmosur nga magjitë e Roberto Baggios.
Më të fundit janë katër përballjet në Champions League në sezonet 2020/21 dhe 2021/22, të gjitha të fituara nga Real Madrid. Megjithatë, asnjëra nuk është luajtur në Bernabéun e ri: në vitin 2020 Interi u përball me Blancos në stadiumin Alfredo Di Stéfano të Valdebebas, ndërsa në vitin 2021 Bernabéu ishte ende nën rikonstruksion.
Champions League - League Stage
18:45 AEK Athens - LASK
18:45 Club Brugge - Aston Villa
21:00 Borussia Dortmund - Villarreal
21:00 FC Porto - Man City
21:00 Lille - Real Betis
21:00 Real Madrid – Inter