Flash

Ngërçi me pagat në drejtësi/ Administrata e Dhomës Civile në Gjykatën e Tiranës nis bojkotin, bllokon shërbimet

Lapsi.al 8 September 2026

Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë edhe bojkotin e parë nga administrata gjyqësore. Punonjësit dhe sekretarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë bllokuar shërbimet, duke kërkuar sqarime se përse ende nuk u kanë kaluar pagat e muajit gusht dhe çfarë do të ndodhë me ta. Administrata ka vënë në dijeni kryetarin e Gjykatës për bojkotin, ndërsa punonjësve u është komunikuar se do të ketë një qëndrim pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e parashikuar në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.

Për pagat e bllokuara do të mblidhen sot edhe drejtuesit e prokurorive. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka thirrur në takim drejtuesit e prokurorive të rretheve dhe Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa të ftuar janë edhe anëtarët e KLP-së. Takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave. Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

92.12

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI