
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e një sulmi të madh ndaj Iranit, duke paralajmëruar një operacion që, sipas tij, do të ishte më i fuqishëm se çdo veprim i mëparshëm.
Në një intervistë për Axios, Trump tha se është pranë marrjes së një vendimi përfundimtar. “Po vlerësoj një sulm masiv ndaj Iranit. Më të madh se çdo tjetër. Jam pranë marrjes së një vendimi. Jemi gati.”
Presidenti amerikan pranoi se një vendim i tillë do të kishte pasoja, por theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo skenar.
I pyetur nëse Izraeli do t’i bashkohej një operacioni të mundshëm ushtarak, Trump u shpreh: “Nëse do t’ua kërkoja, Izraeli do të bashkohej brenda dy minutash.”
Megjithatë, ai shtoi se Uashingtoni nuk ka nevojë për ndihmën e askujt për të nisur një operacion të ri.
Trump përsëriti gjithashtu se Irani është i interesuar për negociata, por sipas tij nuk është ende gati për të arritur një marrëveshje.
“Ata duan të negociojnë, por ende nuk janë gati për një marrëveshje. Nuk kanë vuajtur ende mjaftueshëm,” përfundoi presidenti amerikan.