
Rihanna bëri një rikthim të papritur në skenë duke surprizuar mijëra fansa gjatë koncertit të Jay-Z në Yankee Stadium në New York.
Në orët e para të së hënës, artistja iu bashkua reperit për të interpretuar hitin e tyre të vitit 2009, "Run This Town". Më pas, ajo performoi edhe këngën e saj "Bitch Better Have My Money".
Para publikut të mbushur plot, ku ndodheshin edhe partneri i saj A$AP Rocky dhe vajza e tyre 10-muajshe Rocki, Rihanna pranoi se ndihej paksa jashtë ritmit.
"E dini që jam ndryshkur, apo jo? Ka kaluar shumë kohë. Jeni me mua?" iu drejtua ajo fansave.
Para se të largohej nga skena, këngëtarja falënderoi publikun me emocion. "Më kishte marrë malli për këtë! New York, ju dua!"
Kjo ishte performanca e parë live e Rihannës pas marsit 2024, kur ajo këndoi në një koncert privat në Indi gjatë festimeve para martesës së trashëgimtarit miliarder Anant Ambani dhe Radhika Merchant.
Më herët, në vitin 2023, ajo performoi në spektaklin e pjesës së parë të Super Bowl, ndërsa ishte shtatzënë me djalin e saj të dytë.
Koncerti i Jay-Z u shoqërua me vonesa të mëdha pasi qindra persona tentuan të hynin me forcë në stadium, duke detyruar organizatorët të mbyllnin përkohësisht hyrjet për arsye sigurie.
Kur doli në skenë pas mesnate, Jay-Z u kërkoi falje fansave për pritjen e gjatë dhe shpjegoi se vonesa ishte e nevojshme për të shmangur rrezikun e shtypjes nga turma.
Gjatë mbrëmjes, në skenë u ngjitën edhe Beyoncé, Pharrell, Usher, Teyana Taylor dhe Jermaine Dupri.