
Aktori dhe regjisori James Franco ka ngjallur konfuzion në rrjetet sociale pasi publikoi një seri videosh misterioze në TikTok, ku pretendon se ka filmuar një krijesë jashtëtokësore pranë pronës së tij.
48-vjeçari, i cili hapi llogarinë JamesFranco2319 në qershor dhe ka grumbulluar afro 1 milion ndjekës, publikoi disa video ku shfaqet duke thënë se njerëzit po përpiqen ta pengojnë të zbulojë atë që ka parë.
"Ata duan që unë të ndalem. Njerëzit mendojnë se po sillem çuditshëm, por nuk jam. Pashë diçka," dëgjohet të thotë Franco në një nga videot.
Më 13 korrik, ai publikoi atë që e cilësoi si "provë". Në video, Franco tregon ekranin e laptopit të tij, ku shfaqen pamje bardhezi nga kamerat e sigurisë. Në to duket një figurë humanoide me tipare që ngjasojnë me ato të një alieni, pranë një peme dhe dritareve të një shtëpie.
"Nuk mund ta mbaj më të fshehtë. Duhet ta publikoj, pikërisht sepse disa po përpiqen të më ndalojnë," tha ai, duke premtuar se do të publikojë edhe pamje të tjera.
@jamesfranco2319 The day is here. 7/13 7:13 more footage dropping soon.
♬ original sound - James Franco
Videot kanë ndarë ndjekësit. Disa pretendojnë se e besojnë aktorin, ndërsa të tjerë janë të bindur se bëhet fjalë për një fushatë promovuese për një projekt të ri filmik.
"Ky film duhet të jetë shumë i mirë," shkroi një përdorues, ndërsa të tjerë bënë shaka duke aluduar se mund të bëhet fjalë për një vazhdim të komedisë "Pineapple Express".
James Franco ka disa projekte në zhvillim, përfshirë filmin "John Rambo", thrillerin "Golden State Killer" dhe komedinë "Toad", çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet se videot mund të jenë pjesë e një strategjie promocionale.