
Mbretëresha e popit, Madonna, vazhdon të shkruajë histori në industrinë muzikore.
Këngëtarja 67-vjeçare ka thyer rekorde me albumin e saj më të ri, “Confessions II”, i cili është bërë albumi i saj i dhjetë që ngjitet në vendin e parë të klasifikimit Billboard 200.
Sipas të dhënave zyrtare, albumi ka shitur mbi 134 mijë në SHBA vetëm gjatë javës së parë të publikimit. Me këtë sukses, Madonna barazon rekordin e The Beatles, duke u bërë një nga vetëm dy artistët që kanë arritur të kenë 10 albume në vendin e parë si në Billboard 200 ashtu edhe në klasifikimin zyrtar të albumeve në Mbretërinë e Bashkuar.
“Confessions II” vjen si vazhdim i shumëpritur i albumit të vitit 2005, “Confessions on a Dance Floor”. Pas publikimit, Madonna surprizoi fansat me një performancë në Club Confessions në Knockdown Center në Brooklyn, pas eventeve të ngjashme në West Hollywood, Paris dhe Londër.
Albumi është pritur me vlerësime pozitive nga publiku dhe kritika, të cilët e konsiderojnë si punën më të mirë të artistes që prej “Confessions on a Dance Floor”.
Projekti trajton tema personale si humbja, shërimi dhe këmbëngulja. Në këngën “Fragile”, Madonna i bën homazh vëllait të saj të ndjerë, Christopher, ndërsa në duetin “The Test” me vajzën e saj, Lola Leon, ajo i kërkon falje të bijës.
Në një intervistë për BBC, në emisionin “The Graham Norton Show”, Madonna foli për procesin krijues të albumit.
“Është sikur pushtohem. Idetë vijnë kur nuk përpiqem shumë,” u shpreh ajo, duke shtuar se kënga “One Step Away” lindi “nga shpirti i saj”.
Në prag të publikimit të albumit, ylli i muzikës organizoi edhe një koncert surprizë në Times Square të Nju Jorkut dhe prezantoi në Tribeca Festival një film të shkurtër artistik që e ndjek në një udhëtim surreal gjatë një nate të çmendur. Madonna zbuloi se projekti u realizua gjatë gjashtë muajve të punës së përbashkët me regjisorët e saj, ndërsa ideja erdhi nga menaxheri i saj prej vitesh, Guy Oseary.