Flash

Media gjermane: Protestat në Shqipëri, jo thjesht një zemërim për mjedisin

Për javë të tëra, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë çdo ditë në Shqipëri. Ajo që filloi si rezistencë kundër një projekti ndërtimi në një zonë bregdetare të mbrojtur është shndërruar në një lëvizje të gjerë. Nuk bëhet më vetëm për një vendpushim luksoz të planifikuar, por për çështjen se kush e zotëron vijën bregdetare të Shqipërisë dhe kush përfiton nga bumi ekonomik i vendit.

23:25

Investigimi i BIRN: Bilanci shqiptar i sanksioneve kundër Moskës

Shqipëria është në të njëjtën linjë politike me Bashkimin Europian sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por të dhënat e siguruara nga 17 institucione kyçe tregojnë se vendi ka pak ose aspak raste konkrete për të treguar përgjatë katër viteve.

22:19

Investigimi i BIRN: Bilanci shqiptar i sanksioneve kundër Moskës

Shqipëria është në të njëjtën linjë politike me Bashkimin Europian sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por të dhënat e siguruara nga 17 institucione kyçe tregojnë se vendi ka pak ose aspak raste konkrete për të treguar përgjatë katër viteve.

Lapsi.al 13 July 2026

Një ngarkesë me 50 sonda për monitorimin e naftës, me origjinë nga Bjellorusia, u ndaluan nga dogana e Durrësit në fillim të vitit, pasi autoritetet konstatuan se pajisjet ishin nën embargon e vendosur ndaj Rusisë dhe aleatit të saj, Bjellorusisë, pas agresionit në Ukrainë.

Sondat ishin deklaruar me një vlerë modeste prej 2,474 eurosh. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ngarkesa nuk u lejua që të hynte në territorin doganor të Shqipërisë, ndërsa importuesi zgjodhi që ta braktiste mallin pas njoftimit.

Ky është një nga rastet e rralla, ku sanksionet ndërkombëtare të miratuara nga Shqipëria që prej fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, prodhuan një ndërhyrje konkrete në terren.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 17 institucione kyçe tregojnë se në Shqipëri nuk janë gjetur asete, llogari bankare apo pasuri në emër të individëve apo subjekteve ruse të sanksionuara deri në prill të vitit 2026.

Si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, Shqipëria i është bashkuar paketave të sanksioneve të vendosura nga aleatët perëndimorë ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Masat përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e hyrjes dhe kufizimin e transaksioneve për zyrtarë, oligarkë, kompani, banka, media dhe subjekte të lidhura me luftën. Sanksionet shtrihen edhe në tregti, duke ndaluar ose kufizuar importin e naftës, qymyrit dhe produkteve të tjera me origjinë ruse, ndërkohë që ndalohet gjithashtu eksporti drejt Rusisë i teknologjive ushtararake apo pajisjeve të tjera që mund të shërbejnë për kapacitetet luftarake të Moskës.

Sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, mungesa e një bilanci konkret sanksionesh nuk e zbeh rëndësinë politike të qëndrimit të Shqipërisë.

“Nuk ka shumë rëndësi se sa asete ruse ka ngrirë Shqipëria apo nëse ka ngrirë ndonjë. Rëndësi në këtë rast ka fakti që Shqipëria ka qenë tërësisht në një linjë me politikën e BE-së për sa i përket Rusisë,” tha Krisafi, ndërsa shtoi se lidhjet minimale tregtare, ekonomike dhe financiare me Rusinë e kufizonin hapësirën për sanksione konkrete.

Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku ngre gjithsesi dyshime nëse mungesa e rasteve tregon automatikisht mungesë të problemit.

“Mund të nënkuptojë mungesë kontrolli, mungesë kapaciteti ose, më keq akoma, mungesë vullneti politik për të kontrolluar,” tha Tabaku duke iu referuar dobësisë institucionale dhe mungesës së transparencës.

Sistemi financiar nuk gjen “gjurmë ruse”  

Prej 24 shkurtit 2022, lufta e Rusisë ndaj Ukrainës konsiderohet si kriza më e rëndë e sigurisë në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, duke shkaktuar mijëra viktima civile, zhvendosje masive të popullsisë dhe shkatërrim të gjerë të infrastrukturës. Perëndimi e cilësoi agresionin si shkelje të hapur të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Si kundërpërgjigje, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatë të tjerë miratuan paketa të njëpasnjëshme sanksionesh kundër Moskës. Masat synuan të kufizonin aftësinë e Rusisë për të financuar luftën, duke goditur sektorët e energjisë, financave, teknologjisë, mbrojtjes dhe transportit, si dhe duke ngrirë pasuritë e zyrtarëve, oligarkëve dhe kompanive të lidhura me Kremlinin.

Shqipëria u bashkua me këto masa, duke miratuar të gjitha vendimet e Këshillit të Bashkimit Europian, CFSP, si dhe duke i përshtatur ato në legjislacionin dhe mekanizmat e saj të kontrollit.

Pas përditësimeve të fundit të përfshira në vendimin e qeverisë me numër 597/2025, nën sanksione të lidhura me agresionin rus ndaj Ukrainës janë mbi 2,500 persona dhe entitete. Akte të veçanta trajtojnë gjithashtu kufizimet sektoriale ndaj mallrave, shërbimeve, bankave, transportit, energjisë apo teknologjisë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Bashkimit Europian, CFSP 2014/512.

Ndryshe nga vende të tjera, Shqipëria ka mbajtur prej dekadash marrëdhënie të ftohta me Moskën – çka duket se e ka lehtësuar punën e institucioneve që kanë për detyrë të zbatojnë embargon.

Institucionet financiare shqiptare i thanë BIRN se funksionojnë nën një regjim vigjilence që aktivizohet sa herë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përcjell përditësime të listave të sanksioneve. Megjithatë, kur pyeten për rezultatet konkrete, autoritetet raportojnë mungesë rastesh.

Banka e Shqipërisë deklaroi se mbikëqyr përputhshmërinë e bankave dhe institucioneve të licencuara me kuadrin rregullator, por nuk ka raste dhe as administron statistika mbi transaksionet e refuzuara apo të pezulluara si pasojë e listave të sanksioneve.

“Proceset e monitorimit të ngritura nga subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë janë aktive dhe deri më tani nuk është identifikuar llogari apo asete që i përkasin personave/subjekteve ruse të listuara,” tha BSH në përgjigje.

Një tablo e ngjashme paraqitet edhe në tregun e sigurimeve dhe në sektorin financiar jo-bankar. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, thotë se subjektet nën mbikëqyrje janë udhëzuar që në vitin 2022 të skanojnë portofolet për ekspozime të mundshme ndaj instrumenteve të lidhura me Rusinë. Megjithatë, AMF konfirmon gjithashtu mungesën e rasteve të bllokimit të policave të sigurimit të jetës, instrumenteve financiare apo shërbimeve të ndërmjetësimit.

Agjencia e Inteligjencës Financiare, AIF, raporton se ka analizuar raste të dyshimta, por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar i lidhur me persona, subjekte apo mallra të sanksionuara.

Sipas AIF, gjatë periudhës 2022–prill 2026 janë raportuar rreth 25 “Raporte të Aktivitetit të Dyshimtë” me përfshirje të shtetasve, subjekteve apo mallrave nga Federata Ruse, por asnjë prej tyre nuk lidhej me individë apo subjekte të sanksionuara.

Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve raportojnë se nuk kanë regjistruar dhe as kanë raportime qoftë për eksporte, qoftë për kompani apo leje që bien nën sanksione. Të dy institucionet raportojnë ngritje të filtrave parandalues.

Një përgjigje të ngjashme dha edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ASHK, e cila tha se nuk mban statistika për pasuri të paluajtshme të lidhura me subjekte të sanksionuara, por se në rast konstatimi, njofton AIF-in dhe pezullon regjistrimin.

Shtetas rusë ndalohen në kufi

Gjurma më e dukshme e sanksioneve në Shqipëri nuk shfaqet te bankat apo sistemi financiar, por tek hyrje-daljet e pikave kufitare.

Policia e Shtetit i tha BIRN se 207 shtetas rusë ishin ndaluar që të hynin në Shqipëri nga viti 2022 deri në prill 2026 për shkak të alerteve. Numri i shtetasve rusë që u është ndaluar hyrja në territorin shqiptar ka ardhur në rritje; nga 34 në vitin 2022 në 68 në vitin 2025.

Policia bëri gjithashtu me dije se për të njëjtën periudhë ka refuzuar 31 leje qëndrimi për shtetas rusë dhe ka anuluar 15 të tjera që ishin në fuqi.

Megjithatë, Policia tha në përgjigjen e saj se nuk mund të bënte me dije emrat e personave të ndaluar dhe as lidhjen e tyre me sanksionet, duke iu referuar legjislacionit në fuqi, që i klasifikonte këto ose si “sekret shtetëror” ose si të dhëna personale.

Edhe Agjencia Kombëtare për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK, raportoi raste të moslëshimit apo heqjes së certifikatave të sigurisë për kompani me aktivitete të ndërlidhura biznesi me kompani ruse dhe serbe,  të vlerësuara si rrezik për sigurinë kombëtare. Por Agjencia nuk dha asnjë detaj për shkak se informacioni ishte i klasifikuar.

Shërbimi Informativ Shtetëror refuzoi të jepte informacion.

Përveç rastit të ndalimit të sondave të monitorimit të naftës në fillim të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi se po ndjek “një qasje parandaluese”.

Sipas saj, janë parandaluar “një numër të konsiderueshëm rastesh potenciale” përmes kontrolleve paraprake dhe konsultimeve me operatorët ekonomikë, duke i informuar se procedurat për import, eksport ose transit të mallrave të caktuara “nuk do të lejoheshin” për shkak të kufizimeve ndërkombëtare.

Edhe për qarkullimin detar, autoritetet shqiptare raportojnë kryesisht masa njoftimi dhe vigjilence. Drejtoria e Përgjithshme Detare thotë se Shqipëria “ndjek të njëjtën linjë qëndrimi me Bashkimin Europian dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas këtij institucioni, kapiteneritë dhe portet shqiptarë kanë një kërkesë të Ukrainës për bllokimin e 472 mjeteve lundruese, që sipas saj ishin përfshirë në eksportin ilegal të produkteve bujqësore ukrainase nga territoret e okupuara përkohësisht.

“Kapiteneritë e Porteve informojnë se nuk ka pasur njoftime mbi mbërritjen e anijeve të sanksionuara,” tha Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Aviacionit Civil deklaruan se nuk ishin përballur me raste të shkeljes së sanksioneve.

Propaganda ruse i kalon filtrat

Sanksionet kundër Rusisë nuk kufizohen vetëm te asetet, mallrat apo udhëtimi. Një pjesë e tyre synon edhe kufizimin e platformave shtetërore ruse të propagandës, të cilat Bashkimi Europian i ka cilësuar si pjesë të arsenaleve të manipulimit të informacionit gjatë luftës në Ukrainë.

Për përmbajtjen online, mekanizmi kalon përmes Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, i cili nuk ka kompetencë ligjore për të shqyrtuar përmbajtjen. Megjithatë, AKEP deklaroi se bashkëpunon me institucionet ligjzbatuese që identifikojnë dhe përcjellin kërkesat për bllokimin e aksesit në faqe të caktuara.

Databaza online e AKEP-it për domainet e bllokuara deri në nëntor 2025 përfshin 13,440 adresa. Kryesisht bëhet fjalë për faqe bastesh sportive dhe faqe që transmetojnë ilegalisht përmbajtje filmash, por lista përmban edhe disa prej rrjeteve kryesore të propagandës ruse të sanksionuara, përfshirë ndër to edhe domainet: “rt.com” dhe “sputnikneës.com”.

Por të dy këto domaine në anglisht, si dhe të tjera si Pravda, që publikon edhe në shqip, i tejkalojnë barrierat e vendosura nga AKEP dhe janë të aksesueshme.

Russia Today e bën këtë direkt përmes rt.com, ndërsa Sputnik ka ndërruar domain dhe shfaqet si sputnikglobe.com. Pravda, një rrjet i shpërndarjes së propagandës ruse përmes përkthimeve me Inteligjencë Artificiale vijon të jetë gjithashtu e aksesueshme.

Autoriteti i Mediave Audiovizive thotë se ka verifikuar kontratat e depozituara nga operatorët audiovizivë dhe nuk ka gjetur marrëveshje që përfshijnë kanale apo programe të sanksionuara ruse.

“Në institucionin e AMA-s nuk është depozituar asnjë kontratë apo marrëveshje nga ndonjë subjekt që përfaqëson të drejtat e këtyre kanaleve për territorin e Shqipërisë,” thuhet në përgjigje. Sipas AMA-s, në listat e kontratave të verifikuara nuk rezulton asnjë nga këto kanale apo programe.

Në një linjë me BE-në

Mungesa e rasteve të mëdha të bllokimit të aseteve nuk e zbeh domosdoshmërisht rëndësinë politike të sanksioneve. Sipas Krisafit, bilanci në rastin e Rusisë duhet lexuar në raport me ekspozimin e ulët ekonomik të Shqipërisë ndaj tregut rus.

“Zbatimi në praktikë është rruga që të çon në BE, jo miratimi i ligjeve në letër. Por çështja duhet parë rast pas rasti dhe, në rastin e Rusisë, duke qenë se Shqipëria ka pasur shumë pak lidhje financiare, tregtare, ekonomike etj., ajo çfarë mund të bëhej është bërë deri tani,” tha eksperti.

Krisafi nuk sheh një rrezik konkret që linjëzimi të mbetet deklarativ, për sa kohë masat e marra raportohen në institucionet e Bashkimit Europian.

“Pavarësisht se disa gjëra mund të mos jenë publike, në raportet dhe dokumentet që Shqipëria çon në institucionet e Bashkimit Europian, çdo masë e marrë në praktikë është e paraqitur,” tha ai, duke shtuar se në të kundërt do të kishte pasur reagim nga BE-ja.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thekson se Shqipëria mund të ketë pasur ekspozim të ulët ndaj individëve dhe kompanive ruse të sanksionuara. Megjithatë, Tabaku thotë se kjo nuk mjafton për të provuar zbatimin efektiv të masave.

Tabaku paralajmëroi se rreziku për Shqipërinë nuk vjen vetëm nga subjekte me adresë të drejtpërdrejtë në Rusi. Sipas saj, kapitali i dyshimtë mund të kalojë përmes kompanive offshore, juridiksioneve të treta, aksionerëve nominalë dhe strukturave të ndërlikuara të pronësisë, duke e bërë të vështirë identifikimin e pronarit real përfitues.

“Numri i ulët i rasteve nuk është automatikisht provë e dështimit, por as provë e suksesit,” tha Tabaku, duke e konsideruar bilancin të paplotë.

“Zero raste mund të jetë lajm i mirë vetëm kur shteti provon se ka kërkuar seriozisht. Përndryshe, zero është thjesht numri që prodhon një sistem i ndërtuar për të mos parë,” përfundoi ajo. /Marrë nga Reporter.al

Të këshilluara

ide

Protesta që e mplaku qeverisjen Rama

Kjo protestë ka nxjerrë në pah se qeverisja dhe kryeministri aktual janë vjetërsira politike që transformojnë demokracinë në sundim. Është i njëjti model i vjetër politik që privatizon pushtetin publik për interesa personale, që i reduktion partitë politike, parlamentin dhe ekzekutivin në zgjatime të vullnetit të liderit

10:41 Blendi Kajsiu

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

93.75

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI