
Meghan Markle ka festuar nominimin e parë në Daytime Emmy Awards për emisionin e saj të stilit të jetesës, “With Love, Meghan”, vetëm disa muaj pasi Netflix vendosi të mos e vazhdonte me një sezon të tretë.
Dukesha e Sussex-it ndau lajmin në Instagram, duke uruar ekipin që punoi në realizimin e projektit.
“Urime të mëdha për ekipin fantastik, producentët dhe të gjithë ata që punuan në ‘With Love, Meghan’ në Netflix. Jemi nominuar për një Emmy në kategorinë Outstanding Lifestyle Series,” shkroi ajo.
Seriali do të konkurrojë me produksionet “A Different Breed”, “George to the Rescue”, “The Motherhood” dhe “The Wizard of Paws” në ceremoninë e 53-të të Daytime Emmy Awards, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt më 30 tetor.
“With Love, Meghan” debutoi në Netflix në mars të vitit 2025. Emisioni kombinonte gatimin, kopshtarinë dhe këshilla për organizimin e eventeve në shtëpi, ndërsa Markle ndante eksperiencat e saj personale në rezidencën e saj në Montecito, Kaliforni.
Produksioni pati dy sezone dhe një episod special për festat e fundvitit. Megjithatë, pavarësisht se mori vlerësime pozitive nga një pjesë e publikut, ai u kritikua ashpër, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku disa shikues e cilësuan si “jashtë realitetit” dhe “nevojtar për vëmendje”.
Në janar u raportua se Netflix kishte vendosur të mos e rinovonte serialin për një sezon të tretë, pasi sezoni i dytë nuk arriti të hynte në listën e 10 programeve më të ndjekura të platformës.
Sipas burimeve, Meghan Markle vendosi të fokusohej në zhvillimin e markës së saj të stilit të jetesës, As Ever. Megjithatë, disa muaj më vonë u bë e ditur se Netflix i dha fund edhe bashkëpunimit me këtë markë.
Një burim i industrisë deklaroi se, me përfundimin e emisionit, nuk kishte më arsye që partneriteti të vazhdonte.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Netflix tha se pasioni i Meghan për të sjellë ide të thjeshta dhe elegante për jetën e përditshme frymëzoi krijimin e markës As Ever, duke shtuar se kompania ishte e lumtur që kishte kontribuar në lançimin e saj.
Edhe përfaqësues të As Ever falënderuan Netflix për bashkëpunimin gjatë vitit të parë, duke theksuar se marka tashmë është gati të vazhdojë e pavarur dhe se ka plane të reja për të ardhmen.
Meghan Markle dhe bashkëshorti i saj, Princi Harry, nënshkruan në vitin 2020 një kontratë shumëvjeçare me Netflix, me vlerë rreth 100 milionë dollarë, pak muaj pasi hoqën dorë nga rolet e tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore britanike.