Flash

Spektakël i madh, por a është ende “Odiseja” e Homerit?

Lapsi.al 21 July 2026

Për përkthyesen e greqishtes së lashtë, Emily Wilson, publikimi i filmit “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan ka qenë shpërblyes në disa mënyra. Botimi i saj shumë i vlerësuar i vitit 2017 i eposit të Homerit është ngjitur mes pesë librave më të shitur në Amazon, duke udhëhequr një valë veprash të ngjashme që kanë përfituar nga filmi. Nolan madje ka përmendur përkthimin e saj, veçanërisht vargun hapës: “Më trego për një burrë të ndërlikuar”, si burim frymëzimi.

Por vetë filmi, i cili arkëtoi më shumë se 260 milionë dollarë në mbarë botën gjatë fundjavës së premierës dhe ka marrë vlerësime entuziaste nga shumë kritikë, e la atë të pakënaqur.

“Dua ta vlerësoj faktin që shumë më tepër njerëz tani janë në dijeni të ‘Odisesë’ dhe janë rikthyer te poema,” tha ajo për Associated Press. “Por, në të njëjtën kohë, pata përshtypjen se Christopher Nolan po përpiqej të përfshinte gjithçka, ndërkohë që anashkalonte tema thelbësore të poemës.”

Një prej filmave më të shumëpritur të vitit, “The Odyssey”, ka në rolet kryesore Matt Damon si luftëtari Odise që kthehet në atdhe, Anne Hathaway si bashkëshortja e tij, Penelopa, dhe Tom Holland si djali i tyre, Telemaku. Kritikët kanë vlerësuar interpretimet e aktorëve, ritmin e rrëfimit, përmasat madhështore të një filmi të xhiruar tërësisht në formatin IMAX dhe mënyrën se si ai ndërthur ndjeshmëritë e Greqisë së lashtë me ato të botës moderne, të paktën ashtu siç i percepton Nolan.

Ndarja mes studiuesve dhe kritikëve duket se lidhet pjesërisht me pyetjen nëse pesha duhet të anojë më shumë nga Nolan apo nga Homeri. Wilson dhe përkthyesi tjetër Daniel Mendelsohn shprehën të dy admirim për mjeshtërinë kinematografike dhe ambicien e Nolanit, të cilën Mendelsohn e quan “elegancë të madhe pamore”. Të dy hamendësuan se dëshira e regjisorit për të realizuar një film tipik “të Christopher Nolanit” e çoi drejt disa vendimeve jo aq të goditura.

Mendelsohn është shkrimtar, kritik dhe përkthyes. Vlerësimi i tij u botua të premten në “The New York Review of Books”, ku ai është redaktor i përgjithshëm.

Më parë, Mendelsohn e kishte mbrojtur vendimin e debatueshëm të Nolanit për t’ia besuar rolin e Helenës së Trojës aktores me ngjyrë Lupita Nyong’o, duke e quajtur një mënyrë me vlerë për të “provokuar, sfiduar dhe trazuar mënyrën se si mendojmë për bukurinë dhe identitetin”. Por ai e kritikoi regjisorin për paraqitjen e një Odiseu “pa zgjuarsi, pa humor dhe pa hijeshinë e dinakërisë”. Sipas tij, njëri prej mashtruesve dinakë më themelorë të letërsisë perëndimore është shndërruar në një protagonist të përndjekur nga e kaluara, të ngjashëm me personazhet e filmave të mëparshëm të Nolanit, si “Oppenheimer” dhe “Memento”.

“Ky Odise i munduar dhe i brejtur nga faji, i zhveshur nga humori dhe zgjuarsia, joshja dhe dinakëria, është i afërt me personazhin e dëshpëruar dhe amnezik të ‘Memento’-s, me Batmanin dhe me Oppenheimerin — burra të munduar nga të shkuarat e tyre, me të cilat përballen në mënyra të ndryshme,” shkroi Mendelsohn, përkthimi i të cilit i “Odisesë” u botua në vitin 2025. “Nolan thjesht e ka ribërë heroin e Homerit sipas shëmbëlltyrës së vet.”

Shkrimtari Gareth Hinds, përshtatja e të cilit e “Odisesë” në formën e një romani grafik ka shënuar gjithashtu rritje të shitjeve falë filmit, pati një reagim të ngjashëm me atë të Mendelsohnit për interpretimin që Nolan i ka bërë Odiseut. “Mashtruesi dinak dhe gojëtari i shkathët” është kthyer tashmë në një “njeri të zakonshëm, i cili duket i ndershëm, përveçse në disa situata të veçanta që më pas vazhdojnë ta përndjekin”. Për Hindsin, filmi i Nolanit ngre pyetjen se deri në ç’masë mund ta ndryshosh personazhin kryesor të një rrëfimi, përpara se të ndryshosh tërësisht edhe vetë rrëfimin.

“Kjo është njëra prej shumë çështjeve interesante që Nolan na ka lënë për të medituar,” thotë Hinds, i cili e vlerëson regjisorin për krijimin e një “filmi të fuqishëm”.

Wilson, profesoreshë e studimeve klasike në Universitetin e Pensilvanisë, tha se nuk dëshironte të dukej si një eksperte “snobe”, që kapet pas hollësive dhe kundërshton çdo shmangie nga teksti origjinal. Megjithatë, ajo vuri në pikëpyetje një sërë mungesash dhe zgjedhjesh të tjera: nga mospërfshirja në ekran e perëndive Zeus dhe Poseidon — ndërsa Athena interpretohet nga Zendaya — deri te mesazhi “jokoherent”, i cili dënon si luftën, ashtu edhe frikën fizike. Ajo mendoi se roli i Penelopës ishte reduktuar aq shumë, saqë vinte në rrezik “çdo mundësi për të besuar te kjo martesë”. Wilson mendoi gjithashtu se disa pjesë të filmit, veçanërisht skenat me qenin e Odiseut, Argosin, “i bëjnë qejfin sentimentalizmit modern”.

“Të gjithë dobësohen përpara një qeni,” tha ajo.

Një zëdhënës i Nolanit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Wilson nuk pranoi t’i jepte filmit një notë apo ta rendiste, por tha se do t’ua rekomandonte të tjerëve, me kusht që ta shihnin në kinema.

“Ishte kënaqësi të isha atje me fëmijët e mi. Nuk pata ndjesinë se duhej të sforcohesha për t’u përfshirë,” tha ajo. “Nëse mund ta shihni në ekran të madh, duhet të shkoni patjetër.”/ Associated Press

Të këshilluara

ide

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI