
Parlamenti i Bullgarisë miratoi të mërkurën një propozim të qeverisë që lejon ushtrinë amerikane të përdorë një bazë ajrore në vend për të mbështetur operacionet ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme, ndërsa disa deputetë shprehën shqetësimin se kjo mund ta përfshijë Bullgarinë në luftën me Iranin.
Administrata e presidentit Donald Trump është përballur me kundërshtime nga disa vende të tjera të Bashkimit Evropian lidhur me përdorimin e bazave ajrore për të mbështetur operacionet e saj ushtarake kundër Iranit, raportoi AP.
Deputetët bullgarë votuan me 136 vota pro, 13 kundër dhe 2 abstenime për të lejuar dislokimin e deri në tetë avionëve amerikanë KC-135, së bashku me 250 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe pajisjet mbështetëse në Bazën Ajrore Bezmer, nga e premtja deri më 1 tetor. Për këtë vendim nuk do të nevojiten miratime të tjera.
Sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Bullgarisë, të nënshkruar në vitin 2006, baza e Bezmerit është një bazë me përdorim të përbashkët. Sa herë që SHBA-ja dëshiron ta përdorë bazën për një qëllim të ri, nevojitet miratimi i Parlamentit bullgar.