
Shefi i të Drejtave të Njeriut në OKB, Volker Turk ka reaguar lidhur me protestat masive që po zhvillohen në disa shtete evropiane, përfshirë Shqipërinë.
Turk është shprehur se protestat masive në të gjithë Shqipërinë, Belgjikën, Francën, Italinë dhe Portugalinë po ngrenë shqetësime për të drejtat e njeriut.
Ai ka dënuar aktet e dhunës dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm. Turk kërkon që shtetet të angazhohen veçanërisht me të rinjtë dhe të adresojnë shqetësimet e tyre për arsimin, shërbimet publike, strehimin, koston e jetesës dhe pabarazinë
“Dënoj të gjitha aktet e dhunës dhe u bëj thirrje të gjithë të përfshirëve të ulin tensionet dhe të parandalojnë dhunën e mëtejshme. Rruga më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i sigurt. Shtetet duhet të angazhohen me protestuesit, veçanërisht me të rinjtë, në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe themelore të të drejtave të njeriut lidhur me arsimin, shërbimet publike, strehimin, rritjen e kostos së jetesës dhe pabarazinë”, thuhet në reagimin e tij.