
Elisa Spiropali, ka bërë të ditur se faqja e saj zyrtare në Facebook është e bllokuar prej tre ditësh. Lajmin e ka njoftuar vetë përmes një postimi në Instagram, ku sqaron se po punon me kompaninë Meta për rikthimin e llogarisë.
Spiropali u ka kërkuar ndjekësve që deri në një njoftim të dytë, ta kontaktojnë përmes Instagramit, ndërsa ka falënderuar ata për mirëkuptimin dhe mbështetjen.
“Të dashur miq, Prej tre ditësh, faqja ime zyrtare në Facebook është e bllokuar. Po punojmë ngushtë me Meta-n që ta rikthejmë sa më shpejt. Për të gjithë ju që keni tentuar të më shkruani, deri në njoftimin e radhës, mund të më kontaktoni drejtpërdrejt këtu në Instagram. Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!”, shkruan deputetja në reagimin e saj.
Bllokimi i faqes vjen pas qëndrimeve kritike të Spiropalit ndaj zhvillimeve politike në vend, përfshirë thirrjen drejtuar kryeministrit Edi Rama që të “hapë krahun” dhe t’i hapë rrugë rotacionit brenda Partisë Socialiste. Deklarata e saj erdhi në një kohë kur vendi po përballet me protesta të shumta studentore dhe pakënaqësi ndaj qeverisë.