
Nëse Lamine Yamal është i paparashikueshëm në fushë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për babanë e tij, Mounir Nasraoui, në situata të tjera. 40-vjeçari me origjinë marokene ka shkaktuar sërish diskutime për sjelljen e tij të debatueshme dhe deklaratat provokuese. “Perla” e fundit erdhi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në një park për qentë në Pedralbes, ku ai iu përgjigj një përdoruesi që e akuzoi se nuk bën asgjë. Burri u mburr me pasurinë e tij, të lidhur edhe me sukseset në futboll të të birit.
Është e vështirë të gjesh një mënyrë për të shkaktuar polemika me një përmbajtje të thjeshtë, të menduar për të treguar një skenë të zakonshme të përditshmërisë. Megjithatë, Mounir Nasraoui ia doli, pasi theksoi se në hapësirën e hapur kishte një problem serioz me furnizimin me ujë. “Nuk ka ujë! Nuk ka ujë! Çfarë turpi! Këlysh i vogël, më vjen keq, i bukur. Ju që keni qen dhe dëshironi t’i trajtoni mirë… Nuk ka ujë!”
Kjo ishte një lloj denoncimi nga babai i Yamal, i cili më pas, duke kaluar komentet e ndjekësve të tij, lexoi mesazhin e dikujt që e sulmonte për humbjen e kohës: “Shikoni, dikush më shkruan: ‘Shko puno, turp të të vijë’. Por ik pirdhu! Unë nuk kam nevojë të punoj, djalosh. Adopto një qen! Adopto një qen, pis! Unë nuk kam nevojë të punoj, kam miliona, falë Zotit”.
Mounir Nasraoui ka një ego të konsiderueshme dhe shpesh e ka shfrytëzuar famën e të birit, i cili po kthehet gjithnjë e më shumë në një fenomen të futbollit ndërkombëtar, për të përfituar edhe vetë. Madje, duke mos u mjaftuar me kaq, ai përfshiu në diskutim edhe Santiago Abascalin, politikanin spanjoll dhe presidentin e partisë së ekstremit të djathtë Vox, për faktin se nuk kishte arritur të garantonte shërbimet bazë në parkun e qenve. Ai u shpreh edhe me fjalë të rënda: “Hej, Abascal, nuk vlen fare për asgjë! Shumë fjalë, kjo e ajo, dhe pastaj nuk ka ujë, shiko! A mund ta besoni? Është vërtet turp, njerëz”.
Pra, Nasraoui e jeton në mënyrë shumë demonstrative statusin e tij të ri ekonomik, duke harruar të kaluarën e vështirë. Nuk ka asgjë të re, pra, nën diell. Mounir Nasraoui konfirmohet si një personazh krejtësisht i pakontrollueshëm. Jeta e tij ndryshoi rrënjësisht me shpërthimin e Lamine Yamalit dhe kështu, nga një piktor, që kishte bërë edhe punë krahu dhe punë të ndryshme të pasigurta, ai nisi të jetonte nga të ardhurat e krijuara prej suksesit të të birit.
Karakteri i tij, megjithatë, nuk ka ndryshuar kurrë. Temperamenti i vrullshëm vazhdon edhe sot, kur ai është bërë një personazh publik si i biri, me një numër të madh ndjekësish në platformat sociale. Në të kaluarën ka qenë protagonist i disa ngjarjeve që kanë përfunduar në faqet e para të gazetave, siç është plagosja me thikë pas një sherri, si dhe fakti që herë pas here është bërë edhe një figurë “e rëndë” për Lamine Yamal, të cilin e ndjek sa herë që ka mundësi. Kështu nuk ndodhi gjatë Botërorit të fundit, kur ai nuk mundi të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara, pasi duhej të kujdesej për formën e tij të epilepsisë.

