
Selena Gomez ka bërë një rrëfim të sinqertë për një nga zakonet e saj të së kaluarës, duke zbuluar se përdorimi i shpeshtë i cigareve elektronike me nikotinë i ka ndryshuar përgjithmonë zërin.
Këngëtarja dhe aktorja 34-vjeçare e ndau këtë përvojë me ndjekësit përmes një videoje të publikuar në Instagram Stories të dielën, më 18 tetor, ku foli hapur për vështirësitë që ka hasur për të hequr dorë nga nikotina.
“Kam përdorur shumë cigare elektronike me nikotinë dhe nikotina është shumë e vështirë për t’u lënë”, u shpreh Gomez, duke pranuar se ky zakon ka ndikuar në mënyrën se si tingëllon zëri i saj.
Ajo gjithashtu dha një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që mendojnë ta provojnë këtë zakon, duke theksuar se nuk ia vlen të rrezikosh shëndetin për të.
“Është kaq budallallëk dhe ma ka ndryshuar zërin”, tha këngëtarja, e cila e trajtoi situatën edhe me humor, duke shtuar se nëse dikujt nuk i pëlqen më zëri i saj, është i lirë të mos e dëgjojë.
Pavarësisht vështirësive, Selena zbuloi se ka hequr dorë nga përdorimi i cigareve elektronike dhe shpreson të mos rikthehet më te ky zakon.
“Jam vërtet e emocionuar, sepse e kam lënë dhe shpresoj të mund të vazhdoj kështu. Është shumë e vështirë, por e di se nëse po kaloni diçka të tillë, mund t’ia dilni”, u shpreh ajo.
Rrëfimi i saj vjen pas muajsh diskutimesh në rrjetet sociale lidhur me ndryshimet e vërejtura në zërin e saj. Në dhjetor të vitit 2025, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Instagram, Gomez kishte përmendur se ndonjëherë i fryhet fyti nga brenda, duke iu përgjigjur komenteve të ndjekësve.
Aktorja ka folur edhe më parë për sfidat shëndetësore me të cilat është përballur, përfshirë lupusin, një sëmundje autoimune kronike.