
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një program të ri financiar prej 8 miliardë dollarësh, i cili synon të mbështesë fermerët amerikanë për të përballuar rritjen e kostove të naftës gjatë sezonit të korrjeve. Gjatë një takimi elektoral në Kansas, Trump deklaroi se Departamenti Amerikan i Bujqësisë do të nisë një program të përkohshëm ndihme, me qëllim kompensimin e shpenzimeve për naftën diesel që përdoret në aktivitetet bujqësore.
“Jam i kënaqur të njoftoj se Departamenti i Bujqësisë do të lançojë një program të ri ndihme, duke u ofruar fermerëve tanë 8 miliardë dollarë mbështetje për të kompensuar kostot e naftës diesel gjatë sezonit të korrjeve”, deklaroi presidenti amerikan. Programi synon të lehtësojë barrën financiare mbi fermerët, në një periudhë kur kostot e karburanteve po ndikojnë drejtpërdrejt në shpenzimet e prodhimit bujqësor
Njoftimi vjen në kuadër të një serie premtimesh dhe angazhimesh financiare të administratës Trump, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, ku në garë është edhe kontrolli i Kongresit. Për momentin, shuma e njoftuar prej 8 miliardë dollarësh paraqitet si një paketë mbështetjeje e përkohshme për fermerët, ndërsa detajet mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe kriteret e përfitimit duhet të bëhen të qarta nga autoritetet amerikane.