
As kërcënimet e Edi Ramës se do t’i detyrojë të paguajnë dëmet e shkaktuara nuk i kanë penguar studentët të refuzojnë për të dytën ditë radhazi spektaklin e dialogut të inskenuar nga kryeministri përpara selisë së qeverisë.
Por kësaj radhe, i ndërgjegjshëm për refuzimin, Rama nuk nxorri më në rrugë karriget luksoze me kadife të purpurt. Në vend të tyre, për të ftuar të rinjtë në dialog ai zgjodhi disa të tjera më të thjeshta por që patën të njëjtin fat si një ditë më parë. Studentët i thyen ato, duke i dhënë edhe një herë kryeministrit mesazhin se nuk kanë ndër mend të negociojnë largimin e tij.

Për të dytën ditë radhazi, Rama po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga revolta dhe dhuna policore te një shfaqje e kuruar me karrige, ftesa dhe thirrje për dialog. Por përgjigjja e të rinjve mbetet e njëjtë: ata nuk kërkojnë një vend për t’u ulur përballë kryeministrit, por largimin e tij nga pushteti.

Thyerja e karrigeve është shndërruar kështu në një akt simbolik refuzimi ndaj një kryeministri që vazhdon të ofrojë dialog, ndërkohë që protestuesit kërkojnë përgjegjësi politike për dhunën e ushtruar ndaj tyre.
Sa më shumë Rama këmbëngul të nxjerrë karriget për të dëshmuar se është i gatshëm të bisedojë, aq më shumë studentët po i përdorin ato për t’i treguar se problemi nuk është mungesa e dialogut, por vetë ai.
