
Fitorja e PSG-së ndaj Barcelonës mund t’i ketë kushtuar shumë shtrenjtë Luis Enriques, nëse dyshimet e para për dëmtimin e rëndë të gjurit të djathtë të Khvicha Kvaratskhelia do të konfirmohen. Kampioni 25-vjeçar gjeorgjian mbeti i shtrirë në fushë dhe më pas u zëvendësua në minutën e 15-të të pjesës së dytë, pas një përplasjeje me Xavi Espart. Kvara kishte dhimbje të forta dhe u mbështet nga të tjerët teksa largohej nga fusha, pasi nuk ishte në gjendje as të mbështeste këmbën në tokë.
Festa në Parc des Princes, pas fitores 4-2 ndaj katalanasve, që i dha PSG-së vendin e parë me pikë të plota pas tri ndeshjeve në fazën e kampionatit të Champions League, u zbeh ndjeshëm nga dëmtimet e pësuara prej lojtarëve parisienë. Kvaratskhelia nuk ishte i vetmi që u detyrua të largohej nga fusha. Përpara tij ishte zëvendësuar edhe Dembélé, për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë, ndërsa më pas u largua edhe kapiteni Marquinhos, i cili, gjithsesi, duket se është në gjendjen më të mirë nga të tre.
Diagnoza e mundshme, këputje e ligamentit të kryqëzuar
Pamjet e Kvaratskhelias duke u rrëzuar në fushë pas përdredhjes së gjurit dhe duke mos qenë më në gjendje të qëndronte në këmbë për shkak të dhimbjes ishin vërtet të rënda për t’u parë nga tifozët e PSG-së. Ndërsa ish-lojtari i Napolit po largohej nga fusha i mbajtur nga dy pjesëtarë të stafit mjekësor, që gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë nisën të bëheshin parashikimet më pesimiste për shkallën e dëmtimit të tij. Pas përfundimit të ndeshjes, ish-trajneri i përfaqësueses së Marokut, Walid Regragui, i cili në këtë rast ishte komentator për Canal+, nuk pati dyshime: “Bëhet fjalë patjetër për një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior”.
La blessure de Kvicha Kvaratskhelia. Ça sent très mauvais pour le géorgien. https://t.co/QdHcab1Yba
— Football Likes 🎙️ (@FlowParisien) October 20, 2026
Një skenar i tmerrshëm, i cili, nëse konfirmohet nga ekzaminimet mjekësore, do të nënkuptonte pothuajse me siguri fundin e sezonit për numrin 7 të PSG-së. Sipas Angel Villanueva, situata mund të jetë edhe më e rëndë. Fizioterapisti spanjoll është i specializuar në rehabilitimin e ligamentit të kryqëzuar, dëmtimet e gjurit dhe rikthimin në sport. Ai analizon shpesh në rrjetin social X mekanizmat e dëmtimeve të futbollistëve dhe jep parashikime për kohën e rikuperimit.
Specialisti publikoi dy postime për Kvaratskhelian pas ndeshjes PSG-Barcelona. “Në momentin e përplasjes vërehet qartë një devijim i detyruar në valgus i gjurit të tij të djathtë, me këmbën të fiksuar dhe me ngarkesë në një zinxhir kinetik të mbyllur. Ky mekanizëm është tipik për dëmtimet e kombinuara të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe ligamentit kolateral medial. Koha e rikuperimit: nëntë muaj”, shkroi ai në postimin e parë, ku dy shkurtimet përkatëse nënkuptojnë ligamentin e kryqëzuar anterior dhe ligamentin kolateral medial.
“Në mekanizmin e dëmtimit mund të vërehet një zhvendosje e tibias përpara, që është një nga shenjat vizuale më të dyshimta kur dëmtohet ligamenti i kryqëzuar anterior”, shtoi më pas fizioterapisti në një postim të dytë. “Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm, sepse cilësia e pamjeve të transmetimit të drejtpërdrejtë dhe këndi i kamerës nuk lejojnë një vlerësim të saktë biomekanik”.
En el mecanismo de lesión se puede observar una anteriorización tibial que es uno de los signos visuales más sospechosos cuando el LCA se lesiona. Aunque hay que ser cautos porque la calidad de las imágenes en directo y el ángulo no permiten una valoración biomecánica precisa. https://t.co/vRnNci3knR
— Ángel Villanueva (@angelphysio) October 20, 2026
Pavarësisht të gjitha rezervave që duhen mbajtur parasysh, duket e vështirë që Kvaratskhelia t’ia hedhë vetëm me një frikë të madhe apo, në çdo rast, me një mungesë të shkurtër nga fushat e lojës. Gjeorgjiani, kandidat për Topin e Artë që do të shpallet të hënën e ardhshme, duhet të presë derisa ënjtja e kyçit të gjurit të ulet mjaftueshëm, në mënyrë që t’i nënshtrohet rezonancës magnetike, e cila do të japë verdiktin zyrtar për gjurin e tij. Është e panevojshme të thuhet se, pavarësisht se ka një skuadër të gjerë, në rast se Kvara e ka mbyllur sezonin, Luis Enrique do të shihte të reduktoheshin në mënyrë drastike shanset për të realizuar një tripletë legjendare në Champions League.
