
Imazhi ndërkombëtar i Edi Ramës po merr goditje të njëpasnjëshme, ndërsa pamjet e të rinjve të rrahur kafshërisht në rrugët e Tiranës nga policë të çakërdisur, që u vërsulen me shkopinj gome edhe protestuesve të rrëzuar në tokë, kanë nxjerrë në pah fytyrën e njw regjimi primitiv nw thelbin e tij.
Kryeministri që prej vitesh përpiqet të shesë në kancelaritë perëndimore imazhin e reformatorit që po e çon Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian, po përballet tani me një valë kritikash nga Uashingtoni në Bruksel, ku senatorë amerikanë, kongresmenë republikanë dhe eurodeputetë po ngrenë shqetësime për dhunën policore kundwr njw proteste qw e lidhin direkt me korrupsionin dhe respektimin e shtetit ligjor.
Për Ramën, që integrimin evropian e ka kthyer në vitrinën e suksesit të tij politik, revolta studentore po prodhon një kosto tw qartw ndërkombëtare: sa më shumë pamjet e dhunës qarkullojnë jashtë Shqipërisë, aq më e vështirë bëhet të ruhet fasada e një qeverisjeje që pretendon se po përmbush standardet demokratike të Evropës.
Nga Uashingtoni në Bruksel, deklaratat e ditëve të fundit kanë një emërues të përbashkët: shqetësimin për dhunën, respektimin e të drejtave demokratike dhe mënyrën se si autoritetet shqiptare po i përgjigjen pakënaqësisë qytetare.
Michael Gahler, eurodeputeti gjerman me akuzat më të rënda

Një prej reagimeve më të forta ka ardhur kwtw tw mwrkurw nga Michael Gahler, eurodeputeti gjerman dhe zëdhënës për politikën e jashtme i Grupit të Partisë Popullore Evropiane.
Gahler, i cili ka drejtuar delegacionin e vëzhguesve të Parlamentit Evropian në zgjedhjet shqiptare, nuk e sheh revoltën thjesht si një përplasje mes studentëve dhe policisë. Ai e lidh atë me probleme më të thella të funksionimit të shtetit.
“Duke drejtuar delegacionin e vëzhguesve të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian (PE), kam dëshmuar lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar. Kam parë se prej sa kohësh qytetarët protestojnë kundër korrupsionit dhe qeverisë, duke ngritur shqetësime që prekin thelbin e perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë”, deklaroi Gahler.
Joe Wilson, kongresmeni republikan që kërkon përgjegjësi nga qeveria

Në Shtetet e Bashkuara, një prej reagimeve të para erdhi nga Joe Wilson, kongresmen republikan i Karolinës së Jugut dhe bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan.
Wilson kërkoi respektimin e lirive qytetare dhe përgjegjshmëri institucionale, duke e drejtuar paralajmërimin e tij ndaj autoriteteve shqiptare.
“Qeveria duhet të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë një zë në të ardhmen e vendit të tyre”, deklaroi ai.
Robert Aderholt, një tjetër republikan që paralajmëron qeverinë

Kongresmeni republikan Robert Aderholt, përfaqësues i Alabamës, reagoi gjithashtu për zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se vendi është një aleat i NATO-s dhe se stabiliteti demokratik ka rëndësi.
“Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të shprehur zërin e tij”, deklaroi Aderholt.
Ai u kërkoi të gjitha palëve të refuzojnë dhunën, por theksoi veçanërisht përgjegjësinë e qeverisë për respektimin e të drejtave të protestuesve paqësorë.
Keith Self, kongresmeni e lidh revoltën me korrupsionin

Edhe më i drejtpërdrejtë ishte kongresmeni republikan Keith Self, përfaqësues i Teksasit, i cili e interpretoi revoltën si pasojë të një pakënaqësie të grumbulluar ndaj korrupsionit politik.
“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e shtetit ligjor”, deklaroi Self.
Ai u kërkoi drejtuesve shqiptarë t’i dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore, që do të sillnin mundësi ekonomike dhe stabilitet rajonal.
Chris Murphy, senatori demokrat që kërkon veprime konkrete nga qeveria

Reagimeve të republikanëve iu bashkua edhe senatori demokrat Chris Murphy, anëtar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit amerikan.
Në deklaratën zyrtare të 20 tetorit, Murphy mbështeti të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të dhunës.
“Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve legjitime të protestuesve”, deklaroi senatori amerikan.
Murphy shkoi edhe më tej, duke kërkuar rishqyrtimin e projektit të diskutueshëm të zhvillimit në Vjosë-Nartë, të mbështetur nga familjet Kushner dhe Trump.
Nga Parlamenti Evropian, shqetësim për dhunën policore

Edhe në Bruksel, zhvillimet në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve të Parlamentit Evropian.
Më 19 tetor, Marco Tarquinio, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, dhe Andreas Schieder, raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, shprehën shqetësim të thellë për përshkallëzimin e protestave.
Dy eurodeputetët dënuan sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, por kërkuan njëkohësisht hetimin e raportimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Ata theksuan se respektimi i shtetit ligjor mbetet një kusht themelor për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian: Forca policore duhet të jetë proporcionale

Më 18 tetor reagoi edhe Komisioni Evropian, i cili dënoi aktet e dhunës gjatë protestave, përfshirë sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Por Brukseli theksoi gjithashtu se përgjigjja e autoriteteve duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcionale.
Në deklaratën e Komisionit, liria e tubimit dhe e shprehjes cilësohen si të drejta themelore dhe vlera qendrore evropiane, një standard që nuk mund të anashkalohet me argumentin e ruajtjes së rendit publik. Integrimi evropian matet me hapjen e kapitujve të negociatave, por thelbësore mbetet mënyra se si shteti i trajton qytetarët kur ata dalin në rrugë për të kundërshtuar pushtetin.
Sa më afër Bashkimit Evropian, aq më shumë nën vëzhgim qeveria Rama

Edi Rama e ka përdorur prej vitesh integrimin në Bashkimin Evropian si dëshmi të suksesit të qeverisë së tij. Por në anën tjetër, sa më shumë Shqipëria i afrohet Evropës, aq më shumë qeverisja vihet nën lupën e ndërkombëtarëve.
Afrimi me BE-në përveç hapjes së kapitujve të negociatave, nënkupton edhe respektimin e standardeve demokratike, të cilat nuk mund të mbulohen me propagandë.
Dhe ndërsa në Tiranë Rama përpiqet ta shesë revoltën e studentëve si një trazirë të nxitur politikisht, në Uashington dhe Bruksel pamjet e dhunës policore po shoqërohen me pyetje për korrupsionin, shtetin ligjor dhe abuzimin me pushtetin./Lapsi.al