
Terrori policor ndaj protestuesve arriti kulmin mbrëmjen e së hënës, në ditën e gjashtë të protestave studentore, kur rrugët e Tiranës u kthyen në skena të ndjekjeve dhe goditjeve ndaj të rinjve nga grupe policësh të dalë jashtë kontrollit. Pamjet e filmuara gjatë mbrëmjes tregojnë se uniformat shpesh me maskë dhe pa shenja identifikimi që vrapojnë pas protestuesve, i godasin me shkopinj gome, grushte e shqelma dhe vazhdojnë ndërhyrjet edhe ndaj personave që nuk shfaqen duke ushtruar dhunë. Mes tyre ka edhe të mitur, të cilët ndiqen nëpër rrugicat e kryeqytetit nga efektivë të pajisur për ndërhyrje në protesta.
Më shumë se në çdo ditë tjetër të përplasjeve, policia u shfaq u shndërrua në një forcë që kishte humbur logjikën e ruajtjes së rendit dhe kishte si synim vetëm ndëshkimin fizik të protestuesve. Në vend të neutralizimit të personave që kryenin akte dhune, u shfaqën shpesh policë të frustruar që rrihnin të rinj të pambrojtur dhe që nuk paraqisnin ndonjë kërcënim të dukshëm.
Incidentet nisën që në orët e mëngjesit.
Në videon më lart duket një polic që godiste me shkop gome një student, ndërsa ky i fundit lutej të mos qëllohej dhe këmbëngulte se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme.
Të rinj protestues u panë që u shoqëruan pa asnjë arsye, vetëm se kishin dalë në rrugë, duke u bërë presione pa shkak.
Gjatë paradites, policia përdori vazhdimisht gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome. Por degradimi i ndërhyrjes u regjistrua në mbrëmje, kur ndjekja e protestuesve u zhvendos nga bulevardet dhe sheshet kryesore në rrugicat e kryeqytetit.
Policë që hynin në oborret e kishës siç duket në videon më lart. Grupe efektivësh që vrapojnë pas të rinjve dhe protestues që goditen nëpër rrugë larg institucioneve, krijuan pamje të një operacioni ndëshkues. Në skenat që shihen më poshtë, qëllimi nuk dukej më thjesht shpërndarja e turmës, por goditja e atyre që kishin mbetur në rrugë.
Në filmimet më lart, duken një grup 15 vjeçarësh që pasi janë rrahur mbahen të rrethuar nga policia. Kur gazetarët i pyesin nëse kishin qenë në protestë apo jo, disa prej tyre thonë se kanë frikë të flasin që të mos rrihen më shumë nga policia.
Çfarë i jep një dimension politik këtyre pamjeve është fakti se përshkallëzimi ndodhi disa orë pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama përpara drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Ndërsa mbante një gur në dorë, kryeministri njoftoi se do t'u jepte një shpërblim prej 2500 eurosh policëve të protestës dhe më tej, do të kishte rritja pagash në janar.
Në vend që t’u kërkonte efektivëve vetëpërmbajtje përballë një situate gjithnjë e më të tensionuar, Rama i nxiti ata drejt dhunës, kur i portretizoi të rinjtë protestues si vandalë, të ekstremizuar dhe të manipuluar nga forca të huaja.

Duke i zhvlerësuar protestuesit para policëve, ai përdori shprehje si “qënie të verbëra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë e as ku shkojnë”, ndërsa i lidhi protestat me ANTIFA-n, Rusinë dhe Iranin.
Por, Rama vuri edhe shenjën e barazimit mes atyre që dalin paqësisht në protestë dhe atyre që sulmojnë policët, duke i hapur rrugë terrorit masiv ndaj kujtdo që i dilte para policëve.
“Çdokush që është në një manifestim të dhunshëm është objekt i policisë së shtetit”, deklaroi ai, duke shtuar më pas: “Dhe për këtë arsye, ti je po aq shënjestër e policit sa dhe ai tjetri” u shpreh kryeministri.
Pasojat u panë në mbrëmje. Dhjetëra të arrestuar, por me qindra të rinj të rrahur dhe të dhunuar nga policë të dalë jashtë kontrolli, që më shumë se punonjës shtetërorë mbremjën e të hënës ngjanin me mercenarë jashtë kontrollit, por të kënaqur sepse kishin në xhep 2500 euro./Lapsi.al