
Reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara me erëra të forta dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, kanë përfshirë gjatë natës qarkun e Kukësit. Për shkak të temperaturave të ulëta, në disa segmente rrugore janë krijuar ngrica, ndërsa në qafat malore, në lartësi mbi 800 metra mbi nivelin e detit, trashësia e dëborës ka kaluar 20 centimetra.
Deri më tani, nuk raportohet për bllokim të akseve rrugore nacionale. Megjithatë, situata paraqitet më e vështirë në disa zona rurale, veçanërisht në fshatrat e njësive administrative Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Shishtavec, Zapod dhe Topojan, ku qarkullimi i automjeteve has pengesa.
Ndërkohë, reshjet intensive kanë ndikuar edhe në prurjet e liqenit të Kukësit. Gjatë dy ditëve të fundit prurjet kanë tejkaluar 450 metër kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i liqenit ka arritur mbi kuotën 265 metra.
Në këto kushte, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të reduktojnë shpejtësinë dhe ta përshtatin atë me kushtet atmosferike. Gjithashtu, rekomandohet që automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe pajisjet e tjera të nevojshme për qarkullimin në kushte dëbore dhe ngricash.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, pjesa më e madhe e qarkut është e mbuluar me energji, me përjashtim të fshatit Myç-Has, Njësisë Administrative Gjinaj dhe Golaj në Bashkinë Has, si dhe Njësisë Administrative Lekbibaj në Bashkinë Tropojë.