
Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit po rriten për të gjashtin vit radhazi dhe kanë arritur nivelin më të lartë historik këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për gjysmën e parë të vitit 2026 të ardhurat neto nga puna arritën vlerën e 397 milionë eurove, 27% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.
Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.
Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi.
Për 6-mujorin e parë, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 621 milionë eurove, në rritje me 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe remitancat kanë shënuar vlerën më të lartë historike për këtë periudhë të vitit. Të marra së bashku, remitancat dhe të ardhurat nga puna kontribuuan me 1 miliard e 18 milionë euro në bilancin e pagesave, shifër kjo 20.6% më e lartë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbulonin rreth 35% të deficitit tregtar në mallra për 6-mujorin e parë të këtij viti.
Deri në ngritjen e shpejtë të sektorit të turizmit, veçanërisht pas pandemisë së vitit 2020, puna ka qenë faktori dominues ku janë mbështetur eksportet e ekonomisë shqiptare.
Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë vendit, një kontribut të rëndësishëm ka dhënë historikisht jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria).
Për 6-mujorin 2026, ato arritën në 365 milionë euro, 1.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fasoneria në vitet e fundit ka marrë një goditje të rëndë nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor dhe nga rritja e ndjeshme e kostos së punës.
Sipas një raporti të IFAD (Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor), vendi ynë vlerësohet se ka një peshë të konsiderueshme të remitancave në ekonomi, me 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Krahasuar me vendet e tjera të Rajonit, vendi ynë është mbrapa Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, që e kanë këtë raport përkatësisht në nivelet 11% dhe 10%, por para Serbisë, ku remitancat zënë 7% të PBB-së dhe Maqedonisë së Veriut, ku ato përbëjnë 2% të PBB-së. / Monitor