
Google Maps ka ndryshuar emrin e “Liqenit Ontario” në “Liqeni Amerika” për përdoruesit amerikanë. Ndryshimi u bë për të pasqyruar urdhrin ekzekutiv të Presidentit amerikan Donald Trump për riemërtimin e liqenit.
Trump njoftoi të enjten se po ndryshonte emrin e liqenit më të vogël nga 5 Liqenet e Mëdha, pas mosmarrëveshjeve tregtare në rritje me Kanadanë që i ka shtyrë të dy vendet të vendosin tarifa reciproke në miliarda dollarë.
Urdhri i presidentit Trump duhet të pasqyrohet në Sistemin e Informacionit për Emrat Gjeografikë të SHBA-së (GNIS). Megjithatë vendimi i tij nuk ka ndonjë ndikim në konventat kanadeze të emërtimit ose në mënyrën se si pjesa tjetër e botës i referohet liqenit.
“Njerëzit që përdorin Maps në SHBA do të shohin si “Liqeni Amerika”, ata në Kanada do të vazhdojnë të shohin si “Liqeni Ontario” dhe ata jashtë SHBA-së dhe Kanadasë do t’i shohin të dy emrat”, - deklaroi Google në një postim të shtunën.
Kryeministri kanadez Mark Carney e hodhi poshtë menjëherë ndryshimin e emrit të liqenit. Guvernatorja demokrate Kathy Hochul e Nju Jorkut, e cila ndan një kufi të gjatë me Kanadanë, deklaroi se "Nju Jorku nuk do ta quajë më kështu", ndërsa Phil Scott, guvernatori republikan i Vermontit fqinj, e quajti vendimin e Trump "të vogël dhe zhgënjyes" në mediat sociale.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, zbuloi një tabelë të madhe buzë liqenit që shkruante "Liqeni Ontario: Tani dhe Gjithmonë", si në anglisht ashtu edhe në frëngjisht. “Presidenti Trump mund ta quajë si të dojë, por mund t’ju them se pjesa tjetër e botës do ta quajë gjithmonë Liqeni Ontario”, tha Ford. ©LAPSI.al