
Elbasani-Vllaznia nuk ka ndërmend të përfundojë. Incidentet e pas ndeshjes nuk do të tolerohen dhe i paralajmëruari është presidenti i kuqebluve Alban Xhaferri. Goditja e asistentit të ndeshjes Ergys Spahiu e ka pozicionuar Federatën Shqiptare të Futbollit kundër numrit 1 të klubit shkodran. Ajo që ndodhi është e pafalshme dhe priten masa të ashpra kundër Xhaferrit. FSHF del në krah të arbitrave dhe tani ndjesia është se Vllaznia mund të ketë lënë më shumë se dy pikë në Elbasan.
Qëndrim i Federatës Shqiptare të Futbollit!
Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë incidentin e rëndë të ndodhur pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia, ku Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka goditur fizikisht një prej asistentëve të arbitrit të ndeshjes.
Një akt i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe nuk ka asnjë vend në futbollin shqiptar. Dhuna ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes përbën një cenim të rëndë të integritetit të garës dhe të vetë vlerave të sportit.
Përgjegjësia e drejtuesve të klubeve është edhe më e madhe. Ata duhet të jenë shembull i korrektësisë dhe respektit ndaj kundërshtarit, arbitrave dhe institucioneve të futbollit, pavarësisht tensionit të një ndeshjeje apo pakënaqësisë ndaj vendimeve të arbitrimit.
Organet kompetente disiplinore të FSHF-së do të procedojnë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe në pavarësi të plotë në marrjen e vendimeve përkatëse.
FSHF do të mbrojë me vendosmëri arbitrat dhe çdo zyrtar të ndeshjes nga dhuna, kërcënimet dhe presioni. Mund të ketë debate, kritika dhe kundërshtime për vendimet e arbitrimit, por ekziston një vijë që askush nuk mund ta kalojë: dhuna fizike.
Në futbollin shqiptar nuk mund dhe nuk do të ketë tolerancë për akte të tilla, pavarësisht emrit, klubit apo pozicionit të personit që i kryen.