
Alec Baldwin ka folur hapur për tragjedinë në sheshxhirimin e filmit “Rust” dhe procesin gjyqësor që pasoi, duke i cilësuar ato si një nga periudhat më të vështira të jetës së tij.
Në trailerin e dokumentarit të ri “The Trial of Alec Baldwin”, aktori 68-vjeçar rrëfen momentet pas vdekjes aksidentale të drejtoreshës së fotografisë, Halyna Hutchins, e cila u qëllua me një armë skenike në vitin 2021 gjatë xhirimeve të filmit në New Mexico.
“Kur më thanë se ajo kishte vdekur, isha në shok. Nuk mund ta besoja,” thotë Baldwin në trailer.
Dokumentari tregon edhe ndikimin e jashtëzakonshëm mediatik që pati ngjarja mbi aktorin dhe familjen e tij. Bashkëshortja e tij, Hilaria Baldwin, shfaqet duke u përballur me presionin e mediave dhe paparacëve.
“Paparacët po vijnë tashmë. Duhet t'i nxjerrësh fëmijët jashtë qytetit”, dëgjohet ajo duke i thënë Baldwin.
Në një tjetër moment të trailerit, një person në rrugë i drejtohet aktorit duke i thënë: “Ti vrave dikë aksidentalisht. Si ndihesh?”
Baldwin tregon gjithashtu se do të kishte bërë gjithçka për ta kthyer pas tragjedinë.
“Nëse do të më thoshit: ‘Ngjitu në malin Everest dhe ajo do të kthehet’, do të isha bërë gati menjëherë”, shprehet ai. “Çfarëdo që të mund të bëja. Por nuk mund të bëja asgjë.”
Dokumentari ndalet edhe te procesi gjyqësor i vitit 2024, në të cilin Baldwin u akuzua për vrasje nga pakujdesia lidhur me vdekjen e Hutchins.
“Doja të shpallesha i pafajshëm, të dilja nga dera dhe të gjithë të më linin të qetë,” thotë aktori.
Ai shton se nuk e kishte imagjinuar kurrë se jeta e tij do të përfundonte në një situatë të tillë. “Në gjithë jetën time nuk e kisha imagjinuar kurrë se kjo do të arrinte deri këtu."
Më 21 tetor 2021, Hutchins u qëllua për vdekje pasi arma skenike që mbante Baldwin u shkrep gjatë xhirimeve të “Rust”. Regjisori i filmit, Joel Souza, u plagos gjithashtu në incident.
Baldwin u akuzua për vrasje nga pakujdesia dhe u deklarua i pafajshëm. Në vitin 2024, gjyqtari hodhi poshtë çështjen penale kundër tij, vetëm pak ditë pas nisjes së gjyqit.
Në një intervistë të dhënë në prill për The Hollywood Reporter, Baldwin tha se tragjedia dhe procesi gjyqësor kishin ndikuar tek ai “në çdo mënyrë” — financiarisht, në karrierë, në martesë, te fëmijët dhe në shëndetin e tij. Aktori ka pranuar gjithashtu se ka menduar të tërhiqet nga aktrimi.