
Ministria e Mbrojtjes raporton se gjatë ditës së sotme janë raportuar 30 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 7 mbeten aktive, 10 janë nën mbikëqyrje dhe 13 janë shuar plotësisht.
Në Qarkun Tiranë, vijon aktive vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës kanë operuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së, si dhe 52 efektivë të FA me 6 mjete dhe 1 autoambulancë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë izoluar dhe mbahen nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Dibër mbeten aktive disa vatra: në Lundre–Madhesh, Mat, në Cerrujë–Mali i Allushit, Klos, në Selishtë, si dhe vatra e re në Pleshë, Klos. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz, ndërsa zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Vatra në Mnelë të Madhe është shuar.
Në Qarkun Fier, vatra në Peshtan mbahet nën monitorim, ndërsa zjarri në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktiv. Për këtë vatër janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe të mbrojtjes civile, ndërsa FA kanë ndërhyrë me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, situata paraqitet më e qëndrueshme: vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Në Opar, Korçë, vijon puna në terren, por vatra klasifikohet nën mbikëqyrje dhe nuk rrezikohen banesa.
Në operacione janë angazhuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 21 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 1 dron, 13 mjete dhe 1 autoambulancë. /LAPSI.al