
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Haxhiu e ka cilësuar si “absurde”, “kërcënuese” dhe qasje “shoviniste” idenë e përmendur sërish nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Siç e dini, (kanali i ujitjes) Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë, dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu, duke kërkuar që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.
Edhe ministri i Shqipërisë, Hoxha, shkroi në Facebook se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e një shteti apo të vendoset në mënyrë të njëanshme.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, tha Hoxha.
Ndaj deklaratës së Hoxhës reagoi ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, duke e akuzuar Shqipërinë se po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga, siç tha ai, shkeljet e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe e cilësoi reagimin si "ndërhyrje të motivuar politikisht".
“Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime, as askush tjetër jashtë Serbisë”, tha Gjuriq në një postim në X.
Reagimet vijnë një ditë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka filluar punën konkrete në drejtim të kësaj ideje.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiq më 9 gusht gjatë një vizite në një punishte në Beograd.
Tutje, Vuçiq ka folur sërish për këtë temë të hënën duke thënë se "nuk po kërcënon askënd, por se po merret me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë".
“Tani, natyrisht, shkencëtarët, inxhinierët dhe të gjithë të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të më propozojnë se si mund të realizohet kjo, dhe kaq. Unë nuk kam kërcënuar askënd. Nuk jam unë Kurti që t’i kërcënoj njerëzit. Nuk po kërcënoj askënd. Ne thjesht do të merremi me problemet tona. Ne kemi interesat tona dhe merremi me to”, tha Vuçiq për media, siç ka cituar media serbe, Tanjug.
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.
Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Vuçiq kishte thënë se që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit për nevojat e popullatës në Serbi.
Ai kishte thënë atëherë se vetë kishte qenë kundër saj.
Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku mbush liqenin artificial të Ujmanit. Dy të tretat e këtij liqeni gjenden në territorin e Kosovës. Uji nga ky sistem furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.
Ekspertët e intervistuar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundur, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do të dëmtonte Kosovën, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
Serbia është palë e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin jo-navigacional të ujërave ndërkombëtare.
Ajo përcakton, ndër të tjera, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe obligimin për të mos shkaktuar dëm të konsiderueshëm ndaj shteteve të tjera. Kosova nuk është palë e kësaj konvente, pasi nuk është anëtare e OKB-së. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë