
Protesta e 94-të kundër qeverisë u mbyll me tensione dhe përplasje fizike mes tubuesve dhe efektivëve të policisë para Kryeministrisë. Sipas policisë, 14 persona u arrestuan në flagrancë, ndërsa tre të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Incidentet nisën rreth orës 20:00, kur një grup protestuesish u zhvendos në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë. Sipas policisë, ata bllokuan hyrje-daljet e godinës, ndërsa brenda ndodheshin personalitete të larta shtetërore.
Forcat e rendit krijuan një kordon sigurie për të penguar depërtimin e mëtejshëm të protestuesve. Tubuesit qëndruan për rreth 30 minuta pranë hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të policisë për lirimin e rrugës dhe shpërndarjen.
Situata më pas degradoi në përplasje fizike. Sipas autoriteteve, protestuesit kundërshtuan me forcë efektivët, ndërsa gjatë incidenteve mbeti i lënduar edhe një punonjës policie. Të arrestuarit janë Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.