Këtë të hënë u godit një rast i trafikut të kokαinës në portin grek të Pireut. Në pranga u vunë 7 persona, 4 nga të cilët ishin punonjës të portit që po tentonin të nxirrnin jashtë kokainën e ardhur me kontejner nga Ekuadori.
“Kathimerini” shkruan se punonjësit e portit, të cilët shfrytëzuan pozicionin e tyre për të fituar akses te kontejnerët. Sipas të njëjtave burime ky është një rrjet grek i trafikut të drogës që kishte lidhje edhe me shqiptarët.
“Kathimerini” shkruan se lider i grupit një 35-vjeçar i arrestuar në të kaluarën për trafik droge dhe dyshohet se ka qenë personi që mbante kontakte me trafikantët. 5 të tjerë kishin role të dallueshme dhe specifike.
Njëri nga të akuzuarit thuhet se ishte menaxheri i turnit në port që siguronte që të gjithë anëtarët e rrjetit të punonin në të njëjtin orar kur kishte informacione se një kontejner me drogë do të mbërrinte së shpejti.
Një tjetër person dyshohet se ishte përgjegjës për funksionimin e kamerave për të fshehur gjurmët e tyre. Informacioni rreth veprimeve të tyre kishte bërë që ata të viheshin nën përgjim.

Grupi ishte megjithatë i kujdesshëm në bisedat me njëri-tjetrin, duke u përpjekur të shmangnin çdo provë inkriminuese që do të tradhtonte veprimet e tyre. “Kathimerini” shkruan se droga ishte e destinuar për grupet shqiptare që operojnë në zonë.
“Anija u ankorua në port në agim, ku filluan të shkarkoheshin kontejnerët me banane të ardhur nga Ekuadori. Prej andej, dy punonjës që kishin akses në port morën 34 kilogramë kokainë në qese dhe i transportuan me motoçikleta tek një makinë Porsche Cayenne jashtë portit, ku i priste një bashkëpunëtor i tretë, me qëllim transportimin e tyre te trafikantët shqiptarë të drogës.

Shoferi u largua me shpejtësi, por policia u vu në ndjekje gjatë së cilës shoferi u përpoq të përplaste një makinë patrullimi dhe u përplas me automjetet e parkuara. Oficerët përdorën plumba të vërtetë, duke synuar gomat e automjetit, duke arritur kështu ta ndalonin atë” – shkruan “Kathimerini”.
“Tarifa” për çdo kontejner, sipas informacioneve, thuhet se arrinte në 200 mijë euro, një shumë që ndahej midis anëtarëve të rrjetit, thuhet në shkrim. ©LAPSI.al