Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia e Lezhës pasi iu gjendën 48 kg kanabis gati për shitje. Mësohet se i riu Elton Qarku është kapur me 12 pako kanabis. Droga iu gjet në makinë dhe është sekuestruar së bashku me automjetin dhe celularin e autorit.
NJOFTIMI I POLICISE
Sekuestrohen 12 pakot me lëndë narkotike, automjeti dhe celulari i të arrestuarit.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat operacionale të DVP Lezhë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike cannabis sativa, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gurra”, në kuadër të të cilit u kap në lagjen “Gurra”, në qytetin e Lezhës, dhe u arrestua shtetasi:
E. Q., 28 vjeç, banues në Ungrej, Lezhë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 28-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën 12 paketime me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 48.5 kilogramë. Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike po transportohej me qëllim shitjen.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në të. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të metejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.