Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të hënën deklaroi se reformimi i PD-së duhet të bëhet në funksion suksesit të betejës, kundër këtij regjimi të korruptuar dhe, për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim. Kryedemokrati theksoi se shqiptarët me 25 prill, i besuan demokratëve dhe i dhanë forcë. Basha tha se demokratët që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.
PJESE NGA FJALIMI
Qëllimi kryesor i aksionit tonë është ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm me mundësi për çdo shqiptar që sot po braktis vendin, dhe për të arritur këtë duhet të përfshijmë çdo qyetare dhe çdo qytetar të këtij vendi.
Është detyra jonë të organizojmë shumicën e shqiptarëve dhe rruga për ta bërë këtë është ajo me të cilën ndezëm të gjithë bashkë shpresën dhe besimin në zemrat e njerëzve për ndryshim: duke iu dhënë prova se nuk u futëm në beteja vetëmohuese, duke hequr dorë nga cdo pushtet dhe cdo privilegj, për veten apo për karriket tona, por e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë për Shqipërinë, për demokracinë dhe për shqiptarët, që janë viktimat kryesore të masakrës zgjedhore dhe të modelit të Edi Ramës.
Jeta e tyre preket nga pasojat që ka prodhuar ky model shkatërrimtar. Ekonomia lëngon për shkak të korrupsionit dhe mungesës së konkurencës, rendi dhe siguria janë në mëshirën e krimit me të cilin ka bashkëpunuar për të masakruar zgjedhjet, institucionet janë të kapura dhe u shërbejnë klientëve të regjimit jo qytetarëve.
Plagët që ky model shkakton në shoqërinë shqiptare janë të shumta, prandaj ne duhet të jemi çdo ditë pranë çdo qytetari dhe në mbrojtje të interesit publik. Nga deputetët e zgjedhur te strukturat më të largëta të Partisë Demokratike, detyra jonë është që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të mëdha apo të vogla të jenë të përfaqësuara.
Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë.
Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale.
Të dashur vëllezër dhe motra, sfidat që kemi përpara janë te mëdha, ndaj vullneti dhe vendosmëria jonë duhet të jenë po aq të mëdha.
Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë dhe ajo që na mban të bashkuar në këtë Shtëpi të Lirisë është dashuria për Shqipërinë, pasioni për të shërbyer në jetën politike të vendit tonë, pasioni për të punuar për zhvillimin dhe integrimin në Bashkimin Europian, me idetë dhe vlerat tona që na dallojnë si parti popullore Eruopiane.
Edhe pse jetojmë në kohë jo bujare për politikën, jo vetëm në Shqipëri, kur politika shihet me rezerva dhe difidencë, shqiptarët na besuan dhe na mbështetën; Edhe pse miliona euro harxhohen në propagandë kundër nesh, edhe pse asgjë demokratike nuk kishte në masakrën e 25 prillit, shqiptarët na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konrete, për vizionin tonë, për programin tonë.
Ndaj, në këtë moment përcaktues për demokracinë e vendit, është e rëndësishme më shumë se kurrë që përballja me regjimin të mos na largojë nga qytetarët dhe nga problemet e tyre. Rendin e ditës duhet ta përcaktojmë ne dhe ai duhet të jetë për shqiptarët dhe me shqiptarët.
Disa prej tyre ndoshta duan t’i qëndrojnë larg politikës, duke e konsideruar një gjë të keqe, por në fakt, përtej një interpretimi të nxituar të nxitur nga politikanë të gabuar, nëse njerëzit nuk merren me politikën, është politika që merret me ta.
Shembuj të tillë kemi plotë, nga gazi lotësjellës i pëdorur kundër grave dhe fëmijëve, te gjobat selektive, te të rinjtë që largohen ëndrraprishur për shkak të keqqeverisjes, taksat e larta apo korrupsioni që shkatërron institucionet që nuk janë të afta të japin shërbime, që fatkeqësisht mund të kushtojë edhe jetën, sikurse po ndodhë me pandeminë.
Ndaj, krahas të qenurit partia që i shërben qytetarëve dhe interesit publik, e jo vetes, kemi detyrën të jemi edhe partia që komunikon me shoqërinë, që e zhbën hendekun e pakapërcyeshëm midis njerëzve dhe politikës, që komunikon me qytetarët dhe i normalizon raportet e politikës me qytetarët.
Sigurisht duke u hapur edhe më shumë dhe duke u bërë sa më përfshirës, duke dhënë shembuj pozitivë dhe duke mbajtur gjithmonë një sjellje morale që frymëzon besim te qytetarët. Besim për të mos qëndruar pasiv, teksa Shqipëria qëndron në vend numëro, por që të zgjedhin angazhimin si mjet për të përmirësuar jetët e familjeve të tyre.
Ndaj hapja, modernizimi i vazhdueshëm dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike duhet të jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve tona të përbashkëta, për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin qytetar. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, e çdo individi që beson tek demokracia, që beson tek liria dhe tek e ardhmja europiane e vendit tonë.
Nuk ka për të qenë e lehtë, por jam i bindur që askujt nuk i mungon guximi për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për ta çuar deri në fund përballjen me regjimin.
Sepse, në fund të fundit, Partia Demokratike nuk u ndërtua nga njerëz të frikësuar. Partia Demokratike u ndërtua nga guximtarë, nga njerëz që nxitën ëndrrën për një Shqipëri europiane, që kishin këmbëngulejn e palëkundur për të çuar përpara vlerat te të cilat të gjithë besojmë dhe janë ende busulla e një kombi që kërkon liri dhe demokraci.
Kjo është Partia Demokratike, këta jemi ne, ky është edhe fati ynë dhe këtë do t'u themi njerëzve.