Industria e dërgesave të parave ka qenë pjesë e përshpejtimit të dixhitalizimit, që është e vëzhguar në shumë dimensione të jetës gjatë krizës COVID-19. Duke filluar nga qershori 2020, flukset e remitancave përmes kanaleve dixhitale janë rritur, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, veçanërisht për emigrantët me qasje në llogaritë bankare dhe kartat e kreditit.
Raporti tregon se Shqipëria renditet në dhjetëshen e përfituesve më të mëdhenj të remitancave në Europë dhe Azinë Qendrore, ndonëse në shifra më të ulëta se sa rajoni. Sipas këtij raporti, përfituesi kryesor në Europë i remitancave ka qenë Ukrahina, ndjekur nga Rusia dhe Uzbekistani. Shqipëria, e fundit me 1.5 miliardë dollarë në 2020, ndërsa në raport me PBB, 9.7%. Raporti shpjegon se, duke u përballur me një mungesë të madhe të fuqisë punëtore në sektorë kyç (të tillë si bujqësia, ndërtimi, mikpritja dhe shërbimet e kujdesit) mes krizës COVID-19, qeveria gjermane vendosi të zgjasë programin e rregullimit të Ballkanit Perëndimor nën të cilin shtetasit e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Mali të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë gëzojnë qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës.
“Përveç kësaj, shtetasit e Ballkanit Perëndimor përfituan më së shumti nga Akti i ri i Imigracionit të Punëtorëve të Kualifikuar. Nga 30,200 viza me aftësi të larta të lëshuara në vitin 2020, gjithsej 2,024 u janë dhënë shtetasve serbë, 1,159 boshnjakëve dhe 778 shtetasve shqiptarë.”, thuhet në raport.
Meqenëse dërgesat dixhitale regjistrohen më mirë sesa dërgesat e parave kesh, veçanërisht ato të kryera me dorë ose të dërguara përmes kanaleve të tjera informale, të dhënat zyrtare ka të ngjarë të regjistrojnë më shumë remitanca edhe nëse madhësia e vërtetë e dërgesave të parave mund të bjerë. Ky vëzhgim është në përputhje me faktin se një numër i madh i familjeve të anketuara në TM2 raportuan se morën remitanca më të ulëta që nga fillimi i COVID-19 në Meksikë (35%) dhe Republikën Dominikane (54%) edhe kur bankat qendrore regjistruan flukse hyrëse më të larta. Madhësia e vërtetë e dërgesave të parave, që përfshin flukse zyrtare dhe informale, besohet të jetë më e madhe se të dhënat e raportuara zyrtarisht, megjithëse shkalla e ndikimit të COVID-19 në flukset informale është e paqartë, nënvizon Banka./ Monitor