Mjeku Niko Nika është arrestuar nga policia e Tiranës pas akuzave për korrupsion dhe falsifikim të tamponëve që përdoren për të testuar pacientët e dyshuar për COVID-19.
Nika u arrestua gjatë një aksioni të realizuar në 24 orët e fundit prej forcave blu të Tiranës. Gjatë këtëij operacioni, në pranga kanë rënë edhe 11 persona të tjerë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Mjekut 66-vjeçar i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe “Ushtrim, ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.