Partia Demokratike ka reaguar duke thënë se do të padisë në prokurori drejtorin e spitalit të Peshkopisë dhe vëllanë e deputetit dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjës.
Kjo pas publikimit të pamjeve në një emision investigativ, për mbledhjen e kartave të identitetit të stafit spitalor.
“Me urdhër të drejtorit Artan Bitri, stafit spitalor i janë mbledhur kartat e identitetit. Arsyen tani e ka marrë vesh i madh dhe i vogël: duan të pengojnë njerëzit të votojnë në zgjedhje ose të devijojnë votën e tyre“, tha në deklaratë për mediat ish deputeti i PD Enkelejd Alibeaj.
“Si fillim, Drejtori i Spitalit të Peshkopisë, Artan Bitri, do të dërgohet menjëherë për ndjekje penale. Vëllai i Ulsi Manjës gjithashtu, Hasan Manja, i Kujdesit Shëndetësor do të kallëzohet në prokurori për shkeljen e ligjit.
Vëllai i Kryetarit të Komisionit të Ligjeve ka shpërndarë formularin e Partisë Socialiste tek mjekët, infermierët dhe stafi shëndetësor në Dibër, duke i detyruar të gjejnë njerëz për të votuar për Edi Ramën. Kjo është plotësisht e ndaluar nga ligji dhe këta të dy do të përballen me drejtësinë.
Çdo person tjetër që do t’i bindet këtij pushteti të kalbur për të ndryshuar vullnetin e shqiptarëve ne zgjedhje nuk ka për t’i shpëtuar drejtësisë", tha Alibeaj.