Ndërsa më datë 14 shtator pritet të nisë dita e parë e shkollës, lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar që t’i bëhen tamponët të gjithë mësuesve në mënyrë që të shihet nëse janë mbartës të virusit COVID-19.
“Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me covid19 vazhdon të jetë të lartë ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve”, shprehet Basha.
Basha ka theksuar se Kosova pritet të zbatojë planin, ndërsa qeveria shqiptare duhet të nisë urgjentisht marrjen e kësaj mase.
“Veç dezifektimit të ambjenteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mesimor. Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të covid 19. Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën”, u shpreh Basha.