Iku duke sharë dhe me akuza të forta ndaj Ramës, por tani që mandati si deputet po shkon drejt fundit dhe po afron koha e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj, Fatmir Xhafaj është zbutur. Edhe pak dhe në PS do të nisë përzgjedhja e emrave për kandidatët dhe kush është ai që nuk e do një vend të sigurtë në lista.
Dhe për t'i treguar kryetarit se sido të jetë mbetet në vathë, Xhafaj ka dhënë një intervistë për gazetën Tema, ku ka bërë disa elozhe për Ramën, pasi e përgëzon për reformat dhe shpreh bindjen se duhet votëbesuar për një mandat të tretë.
“Jam absolutisht i bindur se Partia Socialiste dhe Edi Rama si kryetar i kësaj force politike, duhet votëbesuar për një mandat të tretë qeverisës. Jo për rekord elektoral dhe as pse përballë ka një gjysmëalternativë që i kanë thënë që do luash rolin e kundërshtarit të ri për ca vjet se mjafton të zësh radhë pasi pushteti një ditë edhe vjen.Këto vërtetë janë arsye favorizuese në një betejë elektorale, por jo përcaktuese për besueshmërinë e zgjedhësve. Kryesorja është se çfarë përfaqëson vetë Partia Socialiste, ekipi politik, lidershipi i saj dhe se si i përgjigjet nevojave të zhvillimit të vendit dhe interesave të pritshme qytetarëve.
Ta themi më qartë. Ne do të kërkojmë një mandat të tretë ose më saktë do të kërkojmë një mandat të ri besimi jo se kemi bërë ndonjë heroizëm, por sepse jemi përpjekur fort të bëjmë detyrat siç duhet. Pra do ju kërkojmë shqiptarëve të na besojnë për t’i qeverisur edhe për një 4 vjeçar tjetër. Këtë nuk mund ta bëjmë duke ju thënë se “ne” jemi më të mirë se “ata” se kjo është qartazi e dallueshme dhe të mësuar tashmë me këtë realitet, për njerëzit kjo nuk është e mjaftueshme” thotë Xhafaj.
Por pak kohë më parë, Xhafaj nuk qe kaq i frymëzuar nga kryetari i PS dhe reformat e tij. Fill pas largimit nga posti i Ministrit të Brendshëm, ai foli për ligësinë dhe pafytyrësinë, duke iu referuar qartazi Ramës.
“Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që s'mund të kuptojë dot se ka dhe njerëz në politikë që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time.Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo” shkruante Xhafaj në tetor të vitit 2018, kur u largua pas skandalit që shpërtheu me vëllain e tij.
Që këto mesazhe publike ishin për Ramën, u konfirmua edhe në përgjigjen që kreu i qeverisë i dha Xhafajt, duke e akuzuar për sulm ndaj vetë socialistëve.
"Tani simbolikisht do të ndajmë disa nga këto kartat që përfundimisht, përkohësisht sepse më pas e vnedosni ju për sa gjatë iu marrin një pjesë të liriës. Sepse ka dhe një gjë tjetër, kur hyn në një parti nuk i bën dot të gjitha siç i bëje më përpara. Unë që kur hyra në parti hoqa sorë nga ideja që mund të shkoja përsëri në plazh nudo. Se diskutojmë më një shok që thotë “jam njeri i lirë.” Jo nuk je njeri i lirë sepse nuk mund të dalësh ti gjuash më gurë shtëpisë ku jemi bashkë se s’ka kuptim. Në qoftë se do ti gjuash më gurë shtëpisë ik se s’je pjesë e shtëpisë.” tha Rama pikërisht në kohën kur kishte ndodhur largimi i Xhafajt.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama nuk ka ngurruar të pastrojë Partinë Socialiste nga shumë njerëz me të cilët ka qenë në konflikt ndër vite. Rama ka treguar se nuk ka asnjë kompleks të lërë jashtë politikanë me eksperiencë, deputetë të vjetër që prej viteve 90 kanë qenë drejtues të PS, por që tashmë janë larguar plotësisht.
A do ta ketë fatin e tyre edhe Fatmir Xhafaj? Asgjë nuk mund të thuhet me siguri, sepse llogjika shpesh zëvëndësohet nga humori i kryesocialistit, duke qenë se në PS, institucionet dhe strukturat e brendshme janë totalisht të eleminuara tashmë prej vitesh. Por nga komplimentat dhe tonet me superlativa që Xhafaj përshkruan kryetarin, kuptohet se ai e ka nuhatur që në PS nuk është çudi t'ia mbyllin derën, për shkak të konfliktit me Ramën gjatë kohës kur ishte Ministër i Brendshëm.©LAPSI.AL