Gjetja e autorëve që lidhen me helmimin e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny dhe vënia e tyre para drejtësisë ka qënë kërkesa e ministrave të Jashtëm të vendeve të industrializuara, G7.
Gjermania ka informuar partnerët e saj të G7-ës se “Navalny është viktimë e një sulmi me një agjent nervor kimik të grupit Novichok, substancë e zhvilluar nga Rusia”, që zhvillohet në Rusi. Në një deklaratë të përbashkët, grupi tha se çdo përdorim i armëve kimike është i papranueshëm dhe bie ndesh me normat ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e armëve të tilla.
“Ne, ministrat e Jashtëm të G7 i bëjmë thirrje Rusisë që urgjentisht dhe plotësisht të vendosë transparencë se kush është përgjegjës për këtë sulm të neveritshëm të helmimit dhe duke pasur parasysh angazhimet e Rusisë nën Konventën e Armëve Kimike, të nxjerrë autorët para drejtësisë”, theksohet në deklaratë.
Navalny është një kritikues i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin dhe u sëmur më 20 gusht. Ai kaloi dy ditë në një spital para se të dërgohej në Berlin për mjekim.