Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu që vjen nga radhët e LDK-së. Në një prononcim për Gazetën Express, Mustafa ka thënë se Kurti nuk është konsultuar me të për këtë vendim dhe se ai është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit.
“Z. Kurti nuk eshte konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar për shkarkimin e ministrit Veliu. Ky është veprim i njëanshëm, në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit, dhe i papranueshëm për LDK-në”, - ka thënë Mustafa.
Kryeministri Albin Kurti e shkarkoi sot ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu sepse sipas tij deklaratat e bëra një mbrëmje më parë ishin të papranueshme dhe përhapnin panik në situatën nga koronavursi.
“Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e Qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, - shkruhet në njoftimin e qeverisë. ©LAPSI.al