Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar sot ministrin e punëve të brendshme, Agim Veliun, i cili ishte shprehur pro kërkesës së presidentit Thaçi për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonsheme.
Sipas Kurtit, kjo ka ardhur pas deklaratave që Ministri Veliu ka bërë mbrëmë, për të cilat nga qeveria thonë se përhapin panik te qytetarët.
“Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga koronavirusi, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime. Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, shkruhet në njoftim.
Në fakt, përpos arsyeve zyrtare duket se kjo lëvizje ka edhe prapavijë politike. Duke shfrytëzuar koronavirusin presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila e vendos shtetin për 30 ditë në kontrollin e tij duke reduktuar kompetencat e qeverisë. Nga ana tjetër kryeministri e ka hedhur kategorikisht poshtë këtë masë. Dje minisrti i brendëshëm Veliu, një kundërshtar i hershëm i koalicionit mes VV dhe LDK-së, ishte radhitur përkrah presidentit. Kjo me shumë gjasa është arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tij.