Një kamion që transportonte pllaka guri është përmbysur dhe ka përfunduar në një kanal në fshatin Bogovë.
Ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes, por është mbajtur e fshehur nga vetë pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ. Ata e kanë lëvizur automjetin e aksidentuar nga vendngjarja dhe kanë transportuar të plagosurin në Spitalin Rajonal të Beratit pa njoftuar policinë.
Shoferi i plagosur, 35-vjeçari Fatjon Rama, nuk ka treguar për aksidentin, por ka thënë në spital se kishte rënë nga muri i shtëpisë.
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat bëjnë me dije se ngjarja është mbajtur e fshehur nga vetë pronarët e firmave, të cilët jo vetëm që nuk kanë njoftuar për ngjarjen, por edhe kanë prishur vendin e aksidentit të rëndë.
