Policia e Shtetit njoftoi sot zbulimin e një celule terroriste, që kishte planifikuar të kryente një sulm që për fat të mirë është shmangur në festën e Sulltan Novruz në vitin 2018. Por, ky nuk është i vetmi sulm terrorist që Irani ka tentuar të kryejë në Shqipëri kundrejt muhaxhedinëve që janë të strehuar në Shqipëri.
Më 19 dhjetor të vitit 2018, kryeministri Edi Rama dëboi ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Bashkë me të, u shpall "non grata" një diplomat iranian, emri i të cilit ende nuk dihet.
Ky vendim u përshëndet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, thanë asokohe se Rama dhe populli shqiptar morën një vendim të rëndësishëm kundër veprimeve të papërgjegjshme të Iranit në Europë dhe më gjerë në botë.
Gholamhossein Mohammadnia akuzohej edhe nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria e agjenturore e Iranit në Shqipëri. Largimi i tij, u parapri nga një deklaratë e ministrit të Shtetit dhe Diasporës, Pandeli Majko. Majko deklaroi para muxhahedinëve në Manzë se në vendin tonë ka diplomatë që veprojnë si terroristë ndaj të cilëve duhen ndërmarrë veprime.
“E ardhmja e Iranit dhe Lindjes së Mesme do të jetë nën udhëheqjen e Maryam Rajavi-t.”-vuri në dukje ai. “Ka diplomatë që veprojnë si terroristë. Veprimet duhen ndërmarrë për këtë gjë. Kjo melodi e dëgjuar në Tiranë është kënga e lirisë, e cila gjithashtu duhet të luhet edhe në Iran. Dhe këtu, ju keni realizuar një mrekulli duke ndërtuar këtë qytet në më pak se një vit.”- ka deklaruar ish-kryeministri Pandeli Majko nga konferenca vjetore e MEK-ut në Manzë.