Moshapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ka shkaktuar debate në radhët e Partisë Socialiste.
Sipas mbulimit të mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PS-së nga e përditshmja “Panorama”, pas zgjedhjes së dy bashkëkryetarëve socialistë në rang bashkie (një burrë dhe një grua, një normë e re statutore), ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar mbajtjen e një qëndrimi për çështjen e negociatave.
Mësohet se Xhafaj është pasuar dhe nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i cili madje i ka drejtuar kritika dhe ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakajt, në lidhje me deklarimin e tij se në dallim nga qeveria maqedonase, kreu i të cilës, Zoran Zaev shpalli zgjedhje të parakohshme, ekzekutivi shqiptar nuk kishte premtuar hapjen e negociatave. “Genci nuk duhet të bënte atë deklaratë, sipas të cilit, 'unë (ai) dhe Kryeministri Rama nuk kemi premtuar hapjen e negociatave'.”- citohet të ketë thënë Majko.
Sipas Majkos, shqiptarët prisnin vetëm hapjen e negociatave dhe asnjë përgjigje tjetër. “Prandaj, unë them se ne si Kryesi duhet të dalim me një qëndrim për këtë vendim të Këshillit Europian dhe duhet të kemi një qëndrim në logjikën edhe të zhvillimeve në rajon.”- ka shtuar ministri.
Ndërsa, kryeministri, në të njëjtën mënyrë siç u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha, u ka thënë anëtarëve të Kryesisë së PS-së se qeveria ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Komisioni Europian. Mandej, kryesocialisti ka cituar edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, por dhe kryeministrin Italian, Giuseppe Konte, të cilët u shprehën se refuzimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një gabim i madh historik. ©Lapsi.al