Pesë punonjës të Agjensisë së Zonave të Mbrojtura në Qarkun Korçë janë arrestuar ndërsa njëri po ndiqet në gjendje të lirë, në kuadër të një operacioni policor të koduar "Prespa"
Në bashkëpunim me njëri- tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke mos zbatuar procedurat ligjore të kontrollit për zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Prespës, ku në ngastrat 51 e 52 të së cilës, kanë lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve, duke shkaktuar dëmtime të rënda të kësaj zone, informon policia e Korcës.
Të arrestuarit janë
• O.D, 38 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës monitorimi pranë Agjensisë së Zonave të Mbrojtura në Qarkun Korçë)
• V.M, 58 vjeç, banues në fshatin Gollomboç, Liqenas (me detyrë përgjegjës menaxhimi pranë AZM)
• E.L, 48 vjeç, banues në Korçë (me detyrë roje pranë AZM)
• A.V, 43 vjeç, banues në Goricë të Madhe, (me detyrë roje pranë AZM)
• V.J, 65 vjeç, banues në Goricë të Madhe, (me detyrë roje pranë AZM)
Filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E.A, 34 vjeç, banues në Korçë, (me detyrë roje pranë AZM).
Procedohen edhe 4 shtetas të tjerë, të cilët u kapën duke prerë në mënyrë të paligjshme pyjet, në zonën e mbrojtur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 50 m sterë dru, 4 mjete, si edhe 5 copë motorsharra. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.