Partia Demokratike ka paditur Policinë në Shtetit në Prokurorinë e Tiranës për shkak të arrestimeve të bëra pas protestave të Astirit.
Demokratët, të cilët kanë mbështetur që në fillim protestën e banorëve që janë kundër shembjes së shtëpiave të tyre, i kërkuan Prokurorisë hetimin ndaj Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë; shefit të Komisariatit të Policisë së Shtetit nr. 6, Tiranë dhe policëve që janë angazhuar në aksion. Ata kërkojnë pezullimin e ushtrimit të detyrës publike të tyre.
Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori janë: “Shpërdorim i detyrës”, “Kryerje e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrje e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”.
“Banorët e Unazës së Re kanë zhvilluar protestën e tyre paqësore dhe pa asnjë akt dhune. Në përfundim të protestës, një numër i konsiderueshëm punonjësish policia, disa prej tyre të paidentifikuar dhe të veshur civil, kanë filluar një aksion të paligjshëm policor, duke shoqëruar dhe më pas arrestuar me dhjetra qytetarë.Disa prej qytetarëve që i është hequr liria, rezulton se kanë qenë thjeshtë kalimtar në zonën ku ishte zhvilluar protesta. Disa të tjerë kanë qenë pjesëmarrë në atë proteste. Qytetarët pa asnjë shkak janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit nr. 6 Tiranë dhe në Drejtorinë e Qarkut Tiranë,- thuhet në kallzim.
Mes të tjerave në padi theksohet fakti se punonjësit e Policisë së Shtetit, duke vepruar në kundërshtim me ligjin kanë cënuar lirinë e qytetarëve; kanë synuar t’i intimidojnë dhe pengojnë në ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të protestuar, paqësisht dhe pa armë.
Në padinë e saj, PD thekson se liria e tubimit paqësor dhe pa armë është e garantuar edhe nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut, për rrjedhojë organet e pushtetit publik duhet të respektojnë këtë liri.
Deri më tani, Policia e Shtetit ka arrestuar 6 persona të cilat kanë protestuar ditët e fundit tek zona e Astritit, ndërsa po punohet për identifikimin e disa të tjerëve.
Arrestimi i protestuesve bëhet në kuadër të ndryshimeve të bërë në Kodin Penal dhe ashpërsimit të dënimeve për ata që akuzohen për tre vepra penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishje të qetësisë publike” dhe Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.