Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi në emisionin “Open” se nuk disponon vetëm të ashtuquajturën “dosje e fasadave” për Ramën, por edhe plot dosje të tjera, që siç u shpreh “një ditë do t’i çoj në Arkivën e Shtetit”.
Meta tha se e kishte mësuar Anastas Angjeli që t’i ruante dokumentet, ndërsa shton se kur ishte kryeministër çdo vendim e ka kaluar me konsultim të kabinetit, duke nënvizuar përgjegjësinë me të cilën ka drejtuar institucionin.
“Nuk merrem unë me shantazhe. Nëse ka ndonjë njeri në këtë vend, që e di më mirë se kushdo tjetër sesa i rregullt jam unë në raport me ligjin, është Rama dhe ata që kanë punuar me mua. Për shembull i thashë kur kam qenë kryeministër dhe Rama ishte ministri im, të gjithë e dinë që në mbledhjet e qeverisë nuk kalonte asnjë vendim pa konsensus.
Pra në qoftë se dikush e kundërshtonte, që kishte vërejtje për anën ligjore, financiare apo aspektet e tjera dhe e di aq mirë Edi, sa 4-5 herë janë kthyer mbledhjet e qeverisë, sepse kolegët e tij kundërshtonin aktet që ai sillte, për shembull për çështjen e fasadave. Pra, e kisha në kuptimin e përgjegjshmërisë që unë kam patur dhe e kam gjithmonë në ushtrimin e detyrave të mia në raport me ligjin.
Ato i kam të gjitha unë, se unë çfarë firmos i mbaj për të gjitha një kopje, se ti e ke parasysh se çfarë ndodh këtu. Mund të ndodhë çdo gjë në kuptimin e falsifikimit, të ndërrimit të gjërave. Kam ato dosje që kam firmosur unë si kryeministër, si Ministër i Jashtëm, si President.
Janë materiale të domosdoshme. Ma ka mësuar Anastas Angjeli këtë gjë, që letrat duhen të ruhen të gjitha se është tregues i përgjegjshmërisë publike, se nuk është thjeshtë për histori e për arkiv.
Po, edhe mund t’i përdor në kuptimin e kujtimeve, në kuptimin e rikthimit për të parë relacione, çështje të caktuara, ç’lidhje ka. Por, kjo është çështje e seriozitetit në përmbushjen e një detyre. Një ditë do i çoj tek Arkivi i Shtetit, që t’i ketë arkivi, t’i kenë edhe historianët kur të gjykojnë për momente të caktuara të këtyre viteve, të këtyre dekadave” – tha Meta. ©LAPSI.al